TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Shtator 2024, 16:48

Alarm në PD pas fletë-thirrjes së SPAK për Berishën, demokratët mobilizohen për protesta para prokurorisë

Shkruar nga Pamfleti

Alarm në PD pas fletë-thirrjes së SPAK për Berishën,

Në një tentativë të fundit për të intimiduar organet e drejtësisë, Noka duket se do të mbledhë militantët e PD-së para SPAK-ut, në momentin që Berisha do të futet në godinë për t’u njohur me akuzat për çështjen “Partizani”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka me një mesazh drejtuar Kryesisë. ka bërë thirrje që të gjithë demokratët të mobilizohen për protestë para SPAK-ut të mërkurën, ditë kur Sali Berisha do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzat e ngritura ndaj tij.

SPAK pas zvarritjes së gati një viti të çështjes, duket se ka kopsitur dosjen për kompleksin “Partizani” dhe ka vendosur të konkludojë me akuzat dhe të dërgojë për gjykim ish-kryeministrin Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Në një tentativë të fundit për të intimiduar organet e drejtësisë, Noka duket se do të mbledhë militantët e PD-së para SPAK-ut, në momentin që Berisha do të futet në godinë për t’u njohur me akuzat për çështjen “Partizani”.

Të dashur miq. Ditën e mërkurë në orën 12:00 kryetari i PD Sali Berisha do të shkojë pranë organizatës kriminale të SPAK. Të mobilizohemi të gjithë maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vertetën, kundër narkodrejtesisë. Faleminderit”, shkruan Flamur Noka në grupet e anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Nuk dihet se çfarë skenari po planifikohet nga ana e Nokës dhe Berishës, por nuk përjashtohet mundësia e krijimit të tensioneve dhe përplasjes së protestuesve me policinë para dyerve të SPAK. Kjo për shkak se letërthirrja e SPAK për Berishën ka alarmuar opozitën, pasi vjen pak kohë para nisjes së fushatës zgjedhore. Demokratët frikësohen se kjo lëvizje mund të ndikojë te qytetarët dhe rrjedhimisht edhe në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025. 

Vlen të theksohet se ditën e mërkurë Berisha dhe Malltezi në organin e akuzës do të njihen me dosjen. Berisha pritet të mbërrijë në prokurori në orën 12:00, ndërsa dhëndri Jamarbër Malltezi do paraqitet në 14:00.

Kujtojmë se Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzimet me privatizimin e pronave tek ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”./Pamfleti 

Lini një Përgjigje