TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Shkurt 2026, 11:28

Humbi jetën në aksident, familja e Saimir Gjokës apel për drejtësi: Dosja po mbyllet pa autor, ka dëshmitar okular

Shkruar nga Pamfleti
Humbi jetën në aksident, familja e Saimir Gjokës apel për
Saimir Gjoka

Familjarët e Saimir Gjokës, 38-vjeçarit shqiptar që humbi jetën natën e 18 tetorit 2023 në autostradën A1, në zonën Cognento të Italisë, kanë dalë publikisht duke kërkuar drejtësi.

Sipas tyre, dosja rrezikon të mbyllet pa autor, pavarësisht se ekziston një dëshmitar okular që mund të hedhë dritë mbi atë që ndodhi.

“Mos e lini çështjen të mbyllet, ka një dëshmitar okular që mund të tregojë atë që pa”, shprehen të afërmit e viktimës, duke theksuar se kërkesa e tyre lidhet vetëm me zbardhjen e së vërtetës.

Familja deklaron se Saimir Gjoka vdiq në një aksident të rëndë, ndërsa personi tjetër i përfshirë u largua nga vendngjarja pa ofruar ndihmë dhe pa u përballur me pasojat ligjore.

“Ne thjesht kërkojmë të vërtetën, ne kërkojmë drejtësi. Vëllai im vdiq në një aksident të tmerrshëm atë natë, megjithatë shoferi iku nga vendi i ngjarjes pa ofruar ndihmë dhe pa vuajtur pasojat e aktit të tij të rëndë. Ai u ‘fal’ nga ligji”, shprehen ata.

Më 4 shkurt, motra, vëllai dhe bashkëshortja e 38-vjeçarit, përmes avokatëve të tyre, paraqitën zyrtarisht kundërshtim ndaj kërkesës së prokurorit për pushimin e çështjes. Gjykata vendosi ta mbajë dosjen pezull. Procedimi aktual zhvillohet ndaj personave të panjohur dhe përfshin veprën penale të vrasjes me automjet, të rënduar nga largimi nga vendi i aksidentit.

Sipas mediave italiane, e kaluara e Gjokës ishte e lidhur me veprimtari të paligjshme, por familjarët sqarojnë se ai kishte shlyer dënimet dhe kishte nisur një kapitull të ri në jetën e tij.

“Ai po priste një leje qëndrimi dhe kishte një kontratë të rregullt pune”, deklaroi bashkëshortja e tij mes lotësh.

Bashkëshortja theksoi se nuk mund të ecë përpara pa ditur të vërtetën.

“Nuk mund të jetoj kur mendoj se ai person nuk ofroi ndihmë, nuk telefonoi 911 dhe nuk bëri asgjë për të tentuar një shpëtim. Dua të di çfarë ose kush shkaktoi një aksident kaq fatal në një autostradë me katër korsi që ishte plotësisht bosh në atë moment”, tha ajo.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, makina ku ndodhej Saimiri rrëshqiti papritur, u përplas me një gardh dhe u përmbys. Ai u hodh nga automjeti dhe u gjet i pajetë në asfalt kur mbërritën shërbimet e emergjencës. Personi tjetër që ndodhej në mjet u largua duke ikur në fusha dhe nuk u gjet.

Në vendngjarje mbërritën patrullat e policisë rrugore Modena Nord, zjarrfikësit dhe ambulancat. Kërkimet për personin e larguar nisën menjëherë. Sipas të dhënave, automjeti rezultonte i vjedhur dhe brenda kishte mallra të vjedhura.

Çfarëdo që të ketë ndodhur, fakti është se vëllai im vdiq dhe ai meriton drejtësi. Ne prej më shumë se dy vitesh kërkojmë vetëm të vërtetën e fakteve. Ka një dëshmitar okular që ishte në makinë me vëllain tim dhe ne këmbëngulim që ai të merret në pyetje. Ia kam borxh këtë të vërtetë Saimirit, djalit të tij Darius dhe gjithë familjes sonë”, deklaron motra e tij.

 

Lini një Përgjigje