
Gjatë orëve të natës, i gjithë qarku i Kukësit u përfshi nga reshje shiu me intensitet mesatar, të shoqëruara herë pas here me erë. Moti i paqëndrueshëm krijoi vështirësi në disa akse rrugore, kryesisht në zonat me terren malor.
Reshjet vijuan deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes dhe u ndërprenë gradualisht. Si pasojë, në disa segmente u shënuan rënie gurësh dhe inertesh nga shpatet, duke penguar përkohësisht qarkullimin e mjeteve.
Problematika më e theksuar u evidentua në aksin rrugor Kukës–Bushtricë, ku në orët e para të ditës u regjistruan rënie gurësh dhe masash dherash. Situata vështirësoi lëvizjen e automjeteve deri në ndërhyrjen e strukturave përgjegjëse.
Pas sinjalizimeve, subjektet kontraktore të mirëmbajtjes rrugore ndërhynë menjëherë me mjete dhe forca pune, duke pastruar segmentet e bllokuara. Aktualisht, aksi kombëtar Kukës–Peshkopi është i qarkullueshëm normalisht, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar.
Sipas strukturave vendore, në bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk janë konstatuar dëme në banesa apo infrastrukturë publike dhe nuk janë evidentuar situata emergjente. Furnizimi me energji elektrike ka vijuar pa ndërprerje në të gjithë qarkun.
Autoritetet vendore dhe shërbimet emergjente mbeten në gatishmëri për monitorimin e situatës, ndërsa qytetarëve u kërkohet të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, veçanërisht në akset malore.
Lini një Përgjigje