
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të mbahet sot, në orën 10:00, seanca paraprake ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Në këtë seancë, trupa gjykuese do të vendosë nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim.
Seanca vjen pas zhvillimeve të seancës së kaluar, e cila zgjati rreth tetë orë dhe u shoqërua me përplasje verbale mes Ilir Metës dhe prokurorit të SPAK, Sotir Kllapi. Gjatë asaj seance, prokurori arriti të lexonte vetëm 90 faqe nga kërkesa për kalimin e çështjes në gjykim, ndërsa mbeten ende rreth 100 faqe të tjera për t’u paraqitur.
Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet më 28 korrik 2025, në kuadër të dosjes që lidhet me aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe hetimin pasuror. Sipas SPAK, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Për Monika Kryemadhin është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Lini një Përgjigje