Lili Biti, disa ditë më parë u bë fermeri më i njohur në Shqipëri pas një debati që zhvilloi me kryeministrin Rama.
Ai i tha Ramës gjatë një takimi se fermerët janë shtresa më e pambrojtur dhe se duhet më tepër vëmendje ndaj tyre nga institucionet.
Kjo bëri që kryeministri të revoltohet, duke iu drejtuar fermerit t’i kërkojë që të ulej dhe të mos fliste pasi nuk ishte radha e tij.
61-vjeçari thotë se prej 35 vitesh merret me punët e bujqësisë në Divjakë dhe në një sipërfaqe toke prej 10 ha, në të dyja sezonet ai kultivon perime fushe. Për të, bujqësia është pasioni dhe ekonomia e familjes më të cilët rriti dy fëmijët.
“Pa ndihmën e shtetit ne nuk mbijetojmë dot. Kam 8-10 Ha tokë që mbjell perime të ndryshme çfarë ju shikon syri në treg, panxhar lule, karrota”, shprehet Lili Biti për “TCH”.
Fermeri thekson se nuk kërkoi bllokim të importit, por mbrojtjen e prodhimit bujqësor të tokës shqiptare.
“Kryeministri e dëgjoi shumë mirë që unë nuk kërkova bllokimin e doganave, se ai ashtu më ktheu përgjigje. Unë kërkova që kur hyn mall nga importi shteti të jetë rregullator, nëse ka fermeri mall këtu ai duhet të ngrejë referencën në doganë, siç ndodh në rajon. Por këtu ndodh e kundërta. Janë 4-5 tregtarë të mëdhenj dhe na konkurrojnë”, shton 61-vjeçari.
Ai shprehet gjithashtu se nuk e shqetësoi kundërshtimi që iu bë idesë së tij, por toni i lartë i kryeministrit që përdori ndaj 61-vjeçarit.
“Mua më vrau arroganca. Ulu, ulu, unë ende pa folur pastaj unë fola siç e ndjeva”, shton ai.
Por zhgënjimi nuk qe vetëm nga politika, Lili në ato momente u ndje i braktisur edhe nga kolegët e tij bujq.
“Dola nga takimi më thanë shokët bëre mirë që fole. Po ju ku ishit? U ndjeva si….u ofendova se nuk u ngrit asnjeri”, thekson fermeri.
Ndërkohë, fermeri është duke u përballur me një treg të pasigurt, pasi është duke shitur me një çmim që nuk mbulon as kostot e prodhimit.
Biti shton se: “Kjo është lakër e kuqe, unë po e shes 15 lekë dhe shkon në Bosnje, Mal të Zi, Çeki, duhet të shitej 50 lekë që të kishte interes për fermerin. Unë këtu humb 3000 euro”.
Të mbjellat e fermerëve, konkurrohen nga importin në sasi dhe në çmim, kjo pasi një bujk në rajon mbështet disa herë për të njëjtën sipërfaqe toke.
Lini një Përgjigje