
Ish-presidenti Alfred Moisiu, u paraqit sot me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), pas problemeve me frymëmarrjen.
Moisiu u shtrua me urgjencë në repartin e Reanimacionit pranë Klinikës së Kardiologjisë. Sipas informacioneve paraprake, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.
Burime nga QSUT, bëjnë me dije se ndërhyrja e shpejtë e mjekëve ka ndikuar në përmirësimin e parametrave jetësorë të ish-presidentit, ndërsa aktualisht ai nuk raportohet të jetë në rrezik për jetën. Nëse gjendja shëndetësorë vijon të jetë stabël, pritet që ditën e nesërme Alfred Moisiu të lërë ambientet e spitalit.
Deri më tani nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi shkaqet e shtrimit apo trajtimin e ndjekur, ndërsa pritet që në vijim të ketë një komunikim më të plotë nga familjarët ose institucionet përkatëse.
Ish-presidenti Alfred Moisiu ka mbajtur detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë në vitet 2002–2007 dhe konsiderohet një figurë e rëndësishme e jetës politike dhe institucionale të vendit.
Lini një Përgjigje