TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Shkurt 2026, 11:19

Protesta para SPAK kundër resortit të Ulajt, banorja në lot: Duam drejtësi, jemi në vendin tonë

Shkruar nga Pamfleti
Protesta para SPAK kundër resortit të Ulajt, banorja në lot: Duam
Protesta para SPAK kundër resortit të Ulajt, banorja në lot: Duam drejtësi, jemi në vendin tonë

Protesta e banorëve të Rrjollit kundër ndërtimit të resortit luksoz në zonën Baks-Rrjoll–Velipojë është shoqëruar me thirrje të forta emocionale dhe akuza ndaj institucioneve shtetërore.

Mes protestuesve, një banore ka përcjellë një apel prekës për drejtësi, duke kërkuar mbrojtje për familjarët dhe pronat e trashëguara brez pas brezi.

“Duam drejtësi, vetëm drejtësi. Ju lutem vetëm drejtësi, të na shpëtojnë fëmijë, babë e vëllezër. Vëllai im dje është rrëzuar mes vendit, 40 minuta i është dashur ambulancës të vijë në atë vend”, u shpreh ajo, duke denoncuar situatën e rëndë dhe mungesën e reagimit të shpejtë të shërbimeve emergjente.

Banorja theksoi se protesta po zhvillohet në tokat që, sipas saj, u përkasin ligjërisht familjeve të zonës. Në dëshminë e saj, ajo solli edhe një moment personal, duke kujtuar amanetin e gjyshit. “Kam qenë 20 vjeçe kur më ka thënë gjyshi para se me vdek: ‘Mos e shisni tokën’. Ju lutem drejtësi në këtë vend”, tha ajo mes emocionesh.

“Duam drejtësi, vetëm drejtësi. Ju lutem vetëm drejtësi, të na shpëtojnë fëmijë, babë e vëllezër. Vëlali im dje është rrëzuar mes vendit, 40 minuta i është dashur ambulancës të vijë në atë vend. Ju lutem duam vetëm drejtësi, jemi në tokën tonë, në vendin tonë. Ju lutem drejtësi na i lini djemtë, vëllezër e motra kë kemi aty. Kam kenë 20 vjeçe kur më ka thënë gjyshi para se me vdek, mos e shisni tokën, ju lutem drejtësi në këtë vend”, tha ajo.

Apeli vjen në një kohë kur banorët e Rrjollit kanë vijuar protestën për të tretën ditë radhazi dhe janë paraqitur edhe në SPAK, duke kërkuar ndalimin e punimeve për resortin dhe hetim për pretendimet e tyre mbi zaptimin e tokave. Deri tani, institucionet dhe kompania ndërtuese nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre thirrjeve.

 

Lini një Përgjigje