Policia e Tiranës ofron shpërblim 5 mijë euro për këdo që jep informacion për autorin e grabitjes së dyqanit 3 Vëllezërit Fejzo në rrugën ‘Muhamet Gjollesha’.
Autori i maskuar dhe me armë ka grabitur 15 celularë dhe është larguar në këmbë.
“Më datë 09.02.2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Myslym Shyri”, një person me maskë të zezë dhe me një xhup të kuq, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, ka marrë disa aparate celular në dyqanin e shtetasit M. F., dhe më pas është larguar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, njofton polica.
Forcat “Shqiponja” janë vënë në ndjekje të tij dhe në kryeqytet janë ngritur pika kontrolli.
Ndërkohë mësohet se autori nuk ka pasur konfrontim fizik me punonjësin e dyqanit dhe pasi ka vjedhur nën kërcënimin e armës 15 celularët është larguar.
Autori mësohet se është larguar në drejtim të rrugës Vasil Shanto.
Lini një Përgjigje