
Avokati i mjekut Dervish Hasit, Ndue Pjetra, ka folur për akuzat ndaj tij se përveç abuzimit me të miturën 16-vjeçare, mjeku shpërndante dhe video intime të saj.
Avokati tha se këto akuza nuk janë të vërteta pasi në grupin e pretenduar ka qenë edhe motra e tij.
“Në grup ka qenë motra e tij, nusja, e shoqja dhe një tjetër bashkëjetuese. Prokurori bind që nuk kishte asnjë shpërndarje ndërmjet tyre apo video që ka lëvizur mes tyre. E vetmja video ishte në telefonin e vajzës, por nuk është e qartë nëse është i akuzuari apo jo.
Ajo video do i nënshtrohet një akti ekspertimi për të analizuar nëse vërtet ishte ky apo jo. Por nuk ka vepër penale nëse në telefonin tim është diçka e imja personale, ajo video nuk është shpërndarë, nuk ka kaluar në asnjë telefon tjetër. Në grup ai kishte dhe motrën. Këto janë shpifje për ta denigruar mjekun”, tha avokati.
Avokati Pjetra duke folur lidhur me moshën e vajzës ka thënë se mjeku nuk e dinte që vajza ishte e mitur.
Ai tha se ndaj mjekut ka pasur kërcënime edhe më herët lidhur me këtë çështje, sipas avokatit ai ka tentuar të distancohet nga 16-vjeçarja, por ajo ka këmbëngulur.
“Vajza i ka shkuar te puna. Ajo i shkruante në telefon. Vajza ka thënë gjithnjë që ka qenë ajo që e ka nisur. Përjashtohet çdo opsion që ndaj saj mund të jetë ushtruar dhunë. Ajo ka thënë që ka shkuar me dëshirën e saj, ka qenë e vetëdijshme. Dervish Hasi nuk e ka ditur që ajo ka qenë 16 vjeçe. Ai tha edhe në gjyq që e dinte se ishte mbi 18-vjeç”, tha avokati në një intervistë për Euronews.
Avokati tha gjithashtu se familjarët e çonin te spitali që ajo të rrinte me mjekun, ata nuk e kishin arritur akoma bashkëjetesën, por kishin ndërmarrë veprime ligjore, për tu përgatitur për bashkëjetesën.
Lini një Përgjigje