TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Dhjetor 2023, 12:39

GJKKO shpall vendimin, Sali Berisha në arrest shtëpie

Shkruar nga Pamfleti

GJKKO shpall vendimin, Sali Berisha në arrest shtëpie

GJKKO ka vendosur masën e arrestit në shtëpi për ish-kryeministrin Sali Berisha.Kjo masë arresti do të shoqërohet me mbikëqyrje policore dhe pengim të komunikimit me persona të tjerë.

Gjyqtarja Irena Gjoka shpalli sot vendimin, duke pranuar kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë për ish kryministrin.

Nga sot Sali Berisha, do të qëndrojë në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore. Sipas burimeve, polica do kryejë kontrolle periodike te banesa e tij dhe nuk do ketë efektiv 24 orë te banesa. 

Prokuroria e Posaçme ka marrë autorizim nga Kuvendi për të ngritur masën e arrestit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen Partizani, nga detyrim paraqitje, që ai nuk e respektoi në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore dhe të mos ketë asnjë komunikim me persona të tjerë veç familjarëve në banesë.

Ish kryeminstri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë nën hetim në çështjen mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit Sportiv Partizani, i cili dyshohet nga SPAK për korrupsion pasiv, duke favorizuar dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, ku më pas u ndërtuan një grup pallatesh.

Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.

“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.

Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi;  

Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi;

Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti

sali berisha në arrest shtëpie

Lini një Përgjigje