Ka përfunduar dorëzimi i formularëve të vetëdeklarimit të aplikacioneve “Sky ECC” dhe “EncroChat” nga Policia e Shtetit.Plotësimi i formularit vjen përpara përfundimit të afatit të fundit që është data 5 janar 2024.
Vetë Drejtuesi i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se askush nga policia nuk ka pranuar se ka përdorur Sky ECC apo EncroChat qoftë edhe për çështje pune, duke çuar kështu në dështimin e vetëpastrimit të policisë, nismë kjo e iniciuar nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Rrumbullaku u shpreh se, ashtu si kreu i SPAK, Altin Dumani, ata kanë informacione të sakta për sa i përket përdorimit të Sky ECC apo EncroChat.
Rreth 13.500 punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës i janë nënshtruar plotësimit të këtij formulari.
Në SPAK janë disa dosje me të përfshirë policë që ose janë vetë ata në këto aplikacione, ose diskutohet për ta.
Nga ana tjetër Prokuroria e Posaçme po verifikon pasuritë e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Policisë së Shtetit, emrat e të cilëve shfaqen në operacionet e fundit të SPAK. Hetuesit, konfirmojnë se hetim pasuror po kryhet ndaj Oltion Bistrit, ish-drejtor i Forcave Operacionale si dhe ish-nën drejtorit të Policisë Erzen Breçani të arrestuar pak ditë më parë.
Po kështu po verifikohet edhe pasuria ish-shefit të policisë së Kurbinit Dritan Metaj, si dhe ish shefit të krimeve në komisiariatit nr.6 Dedan Gjoni. Hetim pasuroror po kryhet edhe ndaj ish shefit i krimeve kundër personit ne Shkodër, Ardit Hasanbega.
Gjithashtu SPAK ka vënë në sitë edhe pasuritë e disa zyrtarëve të tjerë të policisë së shtetit dhe policisë lokale, të cilët shfaqen në komunikimet e SKY.
Për këta të fundit janë përcjellë letërporosi, për të marrë të dhëna shtesë që pritet t’i vijnë në ndihmë hetuesve.
Ishte ministri i Brendshëm Taulant Balla, ai i cili miratoi urdhrin e posaçëm për vetëdeklarimin e të gjithë punonjësve nëse kanë përdorur aplikacionet si dhe duhet të shtonin detaje në lidhje me kohën dhe arsyen e përdorimit.
Urdhri është pjesë e masave të marra lidhur me procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera të varësisë.
Ndërkohë, çdo punonjës që do të rezultojë se ka përdorur këto aplikacione, do të përjashtohet menjëherë, përfundimisht, nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, apo Garda e Republikës.
Lini një Përgjigje