TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Prill 2026, 13:20

Erion Veliaj mbërrin në Gjykatën Administrative, përballet me prokurorin Olsi Dado 

Shkruar nga Pamfleti

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj do të jetë në seancë për një gjyq administrativ me prokurorin e çështjes së tij, Olsi Dado, pasi pretendon se emërimi i Dados bie ndesh me ligjin.

Erion Veliaj mbërrin në Gjykatën Administrative, përballet
Erion Veliaj në Gjykatën Administrative

Erion Veliaj ka lënë qelinë e Durrësit dhe ka mbërritur këtë të premte në Gjykatën Administrative, ku po zhvillohet një seancë gjyqësore që lidhet me një proces administrativ ndaj prokurorit të çështjes së tij, Olsi Dado.

Pala mbrojtëse e Veliajt kundërshton emërimin e prokurorit, duke pretenduar se ai bie ndesh me ligjin. Nga ana tjetër, Olsi Dado nuk ka dhënë asnjë deklaratë për këtë çështje dhe mësohet se nuk është i pranishëm në seancë.

Po sot nga ora 09:00 po zhvillohet seanca e katërt në radhë për gjykimin ndaj Veliajt dhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje. Seanca është shoqëruar me debate mes palëve në sallën e gjyqit.

Gjatë zhvillimit të saj, gardianit Fation Baci iu caktua avokat kryesisht Pranvera Doci, pasi përfaqësuesi i tij ligjor mungoi në seancën e 1 prillit. Ky vendim shkaktoi kundërshti nga mbrojtja.

Avokati Maks Haxhia, i cili përfaqëson Ajola Xoxën në këtë proces, e cilësoi zhvillimin e gjyqit si të papërshtatshëm dhe ngriti shqetësimin se avokatja e caktuar nuk është njohur me dosjen hetimore.

Aktualisht, togat e zeza janë tërhequr për vendim.


Çfarë ndodhi sot në sallën e gjyqit?

Seanca e sotme ka qenë e tensionuar dhe me debate procedurale mes avokatëve dhe gjykatës.

Haxhia kërkoi sqarime mbi njohjen e dosjes nga avokatja, duke theksuar rëndësinë e procesit të rregullt ligjor, ndërsa prokurori Ols Dado theksoi se Haxhia vepron si avokat dhe jo si kryetar i Dhomës.

Avokati Plarent Ndreca mbështeti Haxhian dhe kërkoi 2 javë kohë për t’u njohur me dosjen dhe për të përgatitur mbrojtjen, duke argumentuar se pa aktet nuk mund të kryhej mbrojtje efektive.

I pandehuri Elman Abule kërkoi ndarjen e çështjes dhe gjykim të shkurtuar, duke argumentuar se çështja ndaj tij i përket një gjykate tjetër. Avokati Henrik Ligori, në mbrojtje të Klotilda Bushkës, deklaroi se akuzat ndaj ish-deputetes nuk mbështeten në prova dhe kërkoi gjithashtu gjykim të shkurtuar, ndarje të çështjes dhe shpalljen e moskompetencës së gjykatës për këtë lëndë.

Prokurori Dado tha se kërkesat e mbrojtjes ishin të panevojshme, pasi aktet janë dorëzuar, dhe theksoi se situata mund të përsëritet në rast ndryshimi avokati.

“Mund të ndodhë që edhe pas një muaji të kemi të njëjtën situatë me ndryshim avokati dhe ai (Veliaj) do të kërkojë kohë për t’u njohur me aktet”, ka thënë Dado.

Në total, janë 7 të pandehur që kanë kërkuar ndarjen e çështjes.

 

përballet me prokurorin olsi dado  erion veliaj

Lini një Përgjigje