
Kreu i “Nisma Thurje” ka komentuar deklaratat e kryeministrit Rama ndaj Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe drejtësisë.
Shabani u shpreh se në Rusi nuk ka drejtësi të pavarur që të arrestojë Vladimir Putin, por është e kundërta, që kundërshtarët politikë të regjimit prangosen me urdhër të Presidentit.
Ai u shpreh gjithashtu se Rama i cili ka futur në burgje shumë shqiptarë për gjëra të pavlera përmes ligjeve të ashpra, nuk duhet të shqetësohet kur kapen hajdutët. Shabani shtoi se në universitete blihet një frigorifer 5000 euro dhe një blender 3500 euro. Sipas tij, një universitet që kërkon të mbrohet nga drejtësia, nuk është gjë tjetër veçse një çetë hajdutësh.
“Është kulmi i hipokrizisë. Sepse në Rusi nuk ka një drejtësi të pavarur që shkon të arrestojë Putinin, është e kundërta. Pra është drejtësia e Putinit që arreston kundërshtarët politikë. E dyta, po sot ky njeri tha ‘do ta trajtojmë parkimin dysh si vepër penale’, pra shkon në burg. Pra ka ardhur që në 2013 dhe deri më sot, për çdo gjë zgjidhja e tij është burgu.
Në pandemi për shqiptarin e zakonshëm propozoi 5 vite burg nëse dilte nga shtëpia pa lejen e këtij. 5 vite burg tha ky atëherë, ndryshoi kodin penal. Po të dilte i shkreti nga shtëpia, mos ta kishte parë Facebook-un e tij, se atje dilnin urdhrat, do dënohej me 5 vite burg. Sot shqetësohesh se shkojnë në burg ata që kanë marrë një frigorifer 5 mijë euro.
Blenderi 3 mijë e 500 euro. T’ia thotë austriakëve këto ai. Universiteti duhet të mbrohet, ka të drejtë, por duhet të mbrohet nga hajdutët, jo nga drejtësia. Sepse një universitet që mbrohet nga drejtësia do të thotë se është çetë hajdutësh”, tha Shabani për “A2 CNN”.
Lini një Përgjigje