TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Tetor 2023, 15:56

Drejtësia në alarm, pas prokuroreve kërcënohen 3 gjyqtare të Apelit; nisin me urgjencë hetimet

Shkruar nga Pamfleti
Drejtësia në alarm, pas prokuroreve kërcënohen 3 gjyqtare
Gjykata e Apelit

Drejtësia është vënë në alarm. Pas prokuroreve Doloreza Musabelliu dhe Merita Selimi, janë kërcënuar nga bandat kriminale edhe 3 gjyqtare të Apelit. Lajmin e ka dhënë gazetarja Anila Hoxha.

Sipas saj, tri gjyqtaret e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dhe Edlira Petri janë kërcënuar në sallën e gjyqit, gjatë shpalljes së një vendimi. Menjëherë gjyqtaret kanë kryer kallëzimin se janë kërcënuar për shkak të detyrës dhe Prokuroria ka nisur me urgjencë hetimet për çështjen.

Kërcënimi i gjyqtareve ndodhi ditën kur ata dënuan 5 shtetas dhe konkretisht; Daut Elmazin, Gentian Zoton, Igli Memajn, Serxho Ademin dhe Albano Goxhajn, të cilët ishin akuzuar për një atentat të vitit 2019-të në qytetin e Vlorës, me të cilin u synua të vritej një personazh i botës së krimit i identifikuar si, Ines Hajrulla.

Gjatë shpalljes së vendimit të pandehurit mungonin, por salla ishte e mbushur me familjarët e tyre. Pasi kanë dhënë vendimin gjyqtarët janë tërhequr në dhomën e këshillimit dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të shoqëruar kërcënuesit që ndodheshin në sallën e gjyqit.

Lidhur me atentatin ndaj Ines Hajrulla, ai ndodhi në 10 maj 2019 në kompleksin “Oslo” në Vlorë. Hetimet kanë provuar se organizator i këtij sulmi me dy kallashnikovë është Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit ose “Çipurit” në Vlorë.

Të pandehurit e tjerë Igli Memaj “Suloti”, Gentian Dautaj (Zoto) dhe Fatmir Hyseni janë në rolin e ekzekutorëve, ku në fazën e hetimit të provave, ka rezultuar se Igli Memaj ka qenë në rolin e drejtuesit të mjetit tip “Land Rover”, ndërsa Dautaj dhe Hysenaj, kanë qenë të armatosur dhe ishin personat që do ekzekutonin Inez Hajrullan, Ervis Matodashaj dhe A.Shoraj.

Këta persona nuk kanë mundur të realizojnë krimin, pasi arma automatike që mbante Fatmir Hyseni, rezulton të jetë bllokuar duke mos realizuar asnjë qitje. Ndërsa arma e zjarrit që mbante Gentian Dautaj është qitur disa herë, në drejtim të objektivit të sulmit, por pasoja nuk ka ardhur për shkak se grupi i djemve i ka pikasur, dhe janë shtrirë përtokë dhe më pas janë larguar.

Personat më pas janë larguar menjëherë pas ngjarjes në drejtim të kodrave të Babicës, ku kanë djegur automjetin dhe kanë qëndruar të fshehur deri në momentin që janë marrë dhe transportuar për në qytetin e Fierit.

Lini një Përgjigje