
Studentët e Mjekësisë vijuan sot me bojkotin e auditoreve për të kundërshtuar punësimin e detyruar pas diplomave. Prej 1 jave ata po bojkotojnë mësimin pasi nuk janë dakord me ligjin e miratuar që i detyron ata që të punojnë disa vite në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve.
Ndërkohë, më herët, zv. Ministrja e Arsimit, Albana Tole, tha se po e ndjekin procesin e bojkotit, por shtoi se ky është një ligj që tashmë është miratuar.
Tole shtoi se ligji është një mekanizëm për të mbajtur studentët në Shqipëri, që të ofrojnë shërbim pas përfundimit të studimeve.
“Ky është një mekanizëm inçentivues për të mbajtur studentët që të ofrojnë shërbim pas përfundimit të studimeve. Kjo i krijon mundësinë për t’u punësuar për një hark kohorë të caktuar. Ky hark kohor mund të shfrytëzohet edhe për të bërë specializim. Në përfundim të harkut kohor, studenti tërheq diplomën dhe ka të drejtë të largohet jashtë vendit. Studentët kanë të drejtë të bojkotojnë, ne jemi duke monitoruar procesi, por është një ligj që ka hyrë në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë studentët e mjekësisë”, u shpreh ajo.
Më 21 Korrik me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projekt-ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, duke i detyruar këta të fundit të punojnë 5 vite në Shqipëri, para se t’iu jepet diploma.
Mes debatesh në seancën e cila zgjati deri pas mesnate, mes 95 deputetëve që ishin prezentë, projektligji u miratua me votat e maxhorancës.
Studentët e Mjekësisë do të firmosin një marrëveshje që do të punojnë në Shqipëri për 5 vite pas diplomimit.
Ky është kusht i detyrueshëm për studentët që regjistrohen për herë të parë në Fakultetin e Mjekësisë vitin e ri akademik, ndërsa për studentet e viteve të dyta deri në të gjashta detyrimi për të punuar është deri në 3 vite, ose mund të zgjedhin të paguajnë tarifën e studimit 13-14 herë më shumë nëse kundërshtojnë mbajtjen e diplomës pas përfundimit të shkollimit.
Lini një Përgjigje