Bordi i Transparencës ka publikuar sot çmimet e reja të karburanteve, të cilat këtë herë rezultojnë në ulje, vetëm 24 orë pasi u rritën.
Sipas vendimit që hyn në fuqi nga ora 13:30 e datës 15 prill 2026, nafta do të tregtohet me 207 lekë për litër, nga 215 lekë që ishte një ditë më parë. Edhe benzina zbret në 174 lekë për litër, nga 178 lekë që ishte më parë.
Në praktikë, qytetarët po përballen me një “lojë” çmimesh që ndryshojnë nga dita në ditë, ku rritja pasohet menjëherë nga një ulje që prezantohet si lehtësim.
Në mbledhjen e radhës, Bordi përcaktoi gjithashtu se çmimi me shumicë për gazoilin nuk duhet të kalojë 195 lekë/litër, ndërsa për benzinën 162 lekë/litër.
Vendimi do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, ndërsa operatorët janë të detyruar ta zbatojnë atë, në të kundërt rrezikojnë pezullim të aktivitetit.
Sa i përket akcizës, sipas aktit normativ në fuqi, ajo zbatohet në nivel të plotë 100%, pasi çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar për aplikimin e nivelit të reduktuar.
Bordi i Transparencës në datë 15 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 207lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 195 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 174 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 162 lekë/litër.
????Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 15 ora 13.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Lini një Përgjigje