TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Prill 2024, 09:23

Berisha e masakroi në '97-ën, ndërron jetë gazetari Zamir Dule

Shkruar nga Pamfleti
Berisha e masakroi në '97-ën, ndërron jetë gazetari
Zamir Dule

Ka ndërruar jetë gazetari Zamir Dule në moshën 55-vjeçare i cili ka punuar me gazetën ‘Koha Jonë’ në vitet 1993-1997.

Dule vuante nga probleme me zemrën dhe ndërroi jetë pas një operacioni.

Varrimi i tij do të bëhet sot në fshatin Miras të Korçës në orën 13:00. Zamir Dule ka qenë korrespondent i gazetës ‘Koha Jonë’ për Korçën fillimisht, e më pas punoi në redaksinë qendrore në Tiranë deri në 1997.

Në ngjarjen e natës se 2 marsit duke u gdhirë 3 mars 1997, gazetari Zamir Dule para vënies së zjarrit të redaksisë së KOHA JONE nga SHIK-u, Policia dhe Garda e Republikës, u mor me forcë nga zyrat e gazetës, bashkë me punonjësin tjetër Anesti Nikolla, dhe u rrah e sakatua në qelitë e Komisariatit Nr.3 të Policisë në Tiranë.

Që prej asaj nate makabre për median e lirë, gazetari Zamir Dule nuk u bë më për punë, pas pasojave ç’njerëzore ndaj tij prej shikasve të SHIK-ut.

Prej kohësh ai vuante nga sëmundja në zemër dhe familjarët e tij shpesh kishin bërë thirrje për ndihmë.

Jeta plot vuajtje e gazetarit Zamir Dule

Jeta e gazetarit Zamir Dule është një dramë më vete dhe do të duhej një roman voluminoz për ta përshkruar. Ai në shkollë të mesme shfaqi talentin petil, të cilin më pas e "konvertoi' në gazetari.

Pas shkrimeve të para në gazetën "Zëri i Rinisë' me prirje të veçanta në zhanret e kronikës, filloi korrespondent i gazetës 'Koha Jonë' për Qarkun e Korçës.

Në vitin 1994, duke i vlerësuar aftësitë dhe përkushtimin, botuesi Nikollë Lesi e afroi në Tiranë ku mbuloi po sektorin e kronikës për policinë, prokurorinë dhe gjykatën.

Në kulmin e tij, deri afërsisht në vitin 1996, atëhere kur shkroi edhe librin 'Përbindëshi i Tropojës'" Zamir Dule u bë simbol i gazetarit të kronikës së zezë. Aq sa Karlo Bolino, asokohe botues i 'Gazeta Shqiptare' të cilit Zamiri i ishte vetëofruar për punësim më herët, sa herë që ky i fundit publikonte lajmet e tij sensacionale, e bënte Karlon të lëshonte me keqardhje shprehjen' Ah Z Dule! Z. Dule!

Aq sakrifikonte për profesionin e tij, sa në një moment të karrierës, me synim që të zotëronte lajmet më të bujshme dhe në kohë të shpejtë nga Tirana dhe i gjithë vendi, bëri një 'pakt me djallin'.

Zamiri u tërhoq shpejt nga ky hap i gabuar, pasi sipas rrëfimit të tij, SHIK-ut po i servirte ca lajme të dorës së dytë e pa interes, dhe për më tepër, vetë gazetari sipas rrëfimit të tij, u bë pishman për këtë komunikim..

Si reagim pati vetëvendimin:'Më mirë një fund i tmerrshëm apo një tmerr pa fund?'. Që nënkuptonte haraçin që do t'i duhej të paguante...

Këtu filloi kalvari i vuajtjeve të Zamir Dules, i cili nën presionin e përndjekjeve nisi të shfaqte probleme psikologjike. Për të cilat kishte ndikuar nga ana tjetër edhe vrasja e një prej vëllezërve të tij. Kulmin këto tortuara, e arritën natën e kobshme të djegies së redaksisë të gazetës "Koha Jonë' në fillim marsin e vitit 1997.

Asokohe, disa prej gazetarëve, një pjesë e stafit dhe truprojat e botuesit Nikollë Lesi strehoheshin për fjetje në katin e nëndheshëm të redaksisë. Natën kur u sulmua godina e redaksisë, Zamir Dule  ishte i vetmi që ndodhej në redaksi pas mesmate së bashku me një punonjës tjetër të gazetës pasi ishte fundjavë dhe të gjithë që strehoheshin në dhomat e poshtëme ishin larguar me leje.

Zamir Dule u shoqërua në polici ku u torturua, tortura këto që u vunë kapak përndjekjeve të tmerrshme ndaj tij. Ai nuk e mori më veten profesionalisht, por edhe nga shëndeti mendor dhe hija e përndjekjes që nuk i ndahej.

Qeveria e kryeministrit të kohës Fatos Nano i akordoi gazetarit Zamir Dule pension special, në shenjë vlerësimi për punën në kushte të përndjekjes dhe sidomos për torturimin e tij nga struktura policore.

Kohë pas kohe Zamir Dule është bërë objekt diskutimesh, madje edhe në rangjet politike, si gazetari simbol i një rregjimi hakmarrës ndaj gazetarëve. Gjithashtu, është tentuar të kontaktohet nga kolegë të tij për ta intervistuar, por Zamiri i tërhequr në vetminë e tij dhe botës së librave i ka refuzuar. Pas vdekjes njëri pas tjetrit të prindërve,  për Zamirin që nuk vendosi dot martesë, kujdeset vëllai i tij.

Pak kohë më parë, duke parë reagimet spekulative në media apo politikë për t'i kujtuar politikës viktimizimin e një profesionisti famoz të medias, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, gazetari Aleksandër Çipa, bëri apel me një shkrim të titulluar 'Lereni të qetë Zamirin!'

zamir dule berisha

Lini një Përgjigje