TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Mars 2026, 17:56

BE: SPAK të godasë financat e rrjeteve kriminale, Qeveria të vërë në funksion Zyrën e Rikuperimit të Pasurive

Shkruar nga Pamfleti
BE: SPAK të godasë financat e rrjeteve kriminale, Qeveria të
Ambasadori i BE dhe kreu i SPAK

Bashkimi Europian kërkon nga SPAK që të godasë financat e krimit të organizuar, si rrugën më efikase për të goditur rrjetet kriminale. Në këtë mënyrë, BE duket se do të mbështesë Prokurorinë Speciale për të goditur sa më thellë ato që konsiderohen si rrjete apo organizata kriminale, duke prekur interesat ekonomike dhe financiare të tyre.

Pavarësisht se në njoftime të herëpashershme SPAK bën të ditur sekuestrimin e aseteve që burojnë nga krimi, duket se Bashkimi Europian po kërkon një tjetër stad të kalimit të luftës ndaj krimit të organizuar, por edhe vënien në funksion të Zyrës së Rikuperimit të Pasurive, e cila duhet të ngrihet pranë Policisë së Shtetit.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, ishte në krah të kreut të SPAK, Klodian Braho, gjatë punimeve të komitetit drejtues të projektit EU4LawEnforcement, ku u trajtuan lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimi i hetimeve financiare dhe rikuperimit të pasurive, si edhe rritja e bashkëpunimit operacional mes institucioneve të zbatimit të ligjit.

“Projekti EU4LEA ka një mandat të gjerë për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar. Me mbështetjen e tij, ne presim nga Shqipëria finalizimin e Strategjisë Kombëtare kundër Krimit të Organizuar dhe funksionalizimin e Zyrës së Rikuperimit të Pasurive. Funksionimi i kësaj zyre është thelbësor për hetime financiare të suksesshme. Ajo është një gur themeli i vizionit tonë të përbashkët për të çrrënjosur krimin e organizuar duke goditur interesat ekonomike dhe financiare të rrjeteve kriminale,” tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve shqiptare përkatëse, të Bashkimit Evropian dhe të partnerëve ndërkombëtarë për të shqyrtuar ecurinë e projektit dhe për të diskutuar planin e ardhshëm të veprimit.

Zyra e Rikuperimit të Aseteve (ARO) në Shqipëri është një strukturë e posaçme, që synon intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave përmes gjurmimit dhe ngrirjes së pasurive të paligjshme. Ajo operon në kuadër të Policisë së Shtetit, duke shkëmbyer informacione dhe analiza financiare me agjencitë e administrimit të pasurive. 

Misioni i kësaj zyre është përmirësimi i rezultateve në luftën kundër krimit dhe sekuestrimi i aseteve me burim të dyshimtë, ndërsa ajo ka zyrë në databaza të ndryshme policore dhe financiare për të gjurmuar të ardhurat, si dhe bashkëpunon me Rrjetin Evropian të Zyrave të Rikuperimit të Pasurive dhe platforma të tjera ndërkombëtare.

Projekti EU4LEA financohet nga Komisioni Evropian në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit II (IPA II). EU4LEA është ideuar si një projekt asistence teknike i BE-së për të mbështetur dhe asistuar agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit në Shqipëri, veçanërisht Policinë e Shtetit Shqiptar, Ministrinë e Brendshme, SPAK (Prokurorinë e Posaçme dhe BKH), Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokuroritë e Rretheve, në arritjen e objektivave dhe afrimin e performancës së tyre me standardet e BE-së.

Përfituesit kryesorë të asistencës EU4LEA janë Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit Shqiptar, SPAK (Prokuroria e Posaçme dhe BKH), Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroritë e Rretheve. Përfituesit dytësorë përfshijnë DPPPP, Autoritetet Doganore dhe Tatimore, ILDKPKI, AAPSK, Ministria e Drejtësisë, etj.

EU4LEA ka 2 objektiva specifike. Objektivi i parë është të përmirësojë përformancën e Policisë së Shtetit SHqiptarë (PSh), SPAK (Prokurorinë e Posaçme dhe BKH), Prokurorinë e Përgjithshmë dhe ato të Rretheve si dhe agjensitë në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar, korrupsionit në nvele të larta dhe krimit mjedisor. /Pamfleti/

spak be krimi financa

Lini një Përgjigje