
MEPJ-ja deklaroi se ambasada shqiptare po punon për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë të aktivistit në Shqipëri...
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka dhënë informacione të reja për fatin e aktivistit shqiptar, Baki Goxhaj, të ndaluar në flotiljen Sumud. MEPJ-ja deklaroi se Goxhaj aktualisht ndodhet në Izrael dhe se Ambasada shqiptare në Tel Aviv do të ketë mundësi të takohet me aktivistin së shpejti.
Gjithashtu MEPJ-ja deklaroi se ambasada shqiptare po punon për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë të aktivistit në Shqipëri.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vazhdon të ndjekë më vëmendje e përparësi situatën lidhur me shtetasin shqiptar, z. Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Sumud”, i ndaluar nga autoritetet izraelite së bashku me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë. Sipas informacioneve zyrtare, ai është transferuar në Izrael.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet izraelite dhe së shpejti do të zhvillojë takim me z. Goxhaj, për t’i ofruar asistencën e nevojshme konsullore dhe në këtë kuadër, për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë dhe të sigurt të shtetasit shqiptar në atdhe”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se pak ditë më parë, marina izraelite ka ndërhyrë ndaj flotiljes humanitare “Global Sumud Flotilla”, duke ndaluar njëra pas tjetrës të 54 anijet që ishin nisur nga Turqia drejt Gazës me ndihma humanitare.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur ushtarët izraelitë me gomone “Zodiac” afrohen pranë anijeve, ndërsa aktivistët shfaqen me jelekë shpëtimi dhe duart lart. Më pas çdo komunikim është ndërprerë dhe për disa prej personave në bord nuk ka më asnjë informacion publik mbi vendndodhjen apo gjendjen e tyre.
Situata u rëndua edhe më shumë pasi zëdhënësja italiane e flotiljes, Maria Elena Delia, deklaroi se marina izraelite ka hapur zjarr ndaj disa prej anijeve.
Sipas autoriteteve italiane, të paktën 27 shtetas italianë janë ndaluar dhe anijet janë shoqëruar drejt portit izraelit të Ashdodit. Ndërkohë, disa shtete europiane, mes tyre Italia, Spanja, Irlanda dhe Turqia, kanë kërkuar informacion dhe lirimin e qytetarëve të tyre.
Ndërkohë që situata u përshkallëzua më tej kur ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, publikoi një video tronditëse ku shfaqet duke ironizuar aktivistët e flotiljes për Gazën, të cilët u ndaluan në det dhe u dërguan në portin e Ashdodit.
Në pamje, dhjetëra aktivistë ndërkombëtarë shihen të gjunjëzuar në tokë, me duart e lidhura. Videoja nis me një prej tyre që thërret “Palestina e lirë”, përpara se policët ta tërheqin zvarrë për ta larguar nga ministri gjatë vizitës së tij në objekt.
Ben-Gvir shfaqet duke ngritur një flamur të madh izraelit dhe duke thënë në hebraisht: “Mirë se erdhët në Izrael, ne jemi zotët këtu”.
Ai i drejtohet edhe kryeministrit Benjamin Netanyahu: “I them kryeministrit: na i dorëzoni për një kohë të gjatë, t’i fusim në burgjet e terroristëve”.
Kjo nxiti reagimin e disa shteteve europian me në krye Italinë. Meloni e përshkroi sjelljen si “të papranueshme”, duke shtuar se Italia do të punonte për lirimin e menjëhershëm të 29 qytetarëve që ndodhen aktualisht në Izrael. Tajani shtoi se pamjet filmike ishin në kundërshtim me çdo mbrojtje themelore të dinjitetit njerëzor.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u distancua nga videoja e Ben-Gvir të mërkurën, duke thënë se veprimet e tij nuk ishin në përputhje me vlerat dhe normat e Izraelit.
lereni atje idiotin, le te shkoje te jetoje ne Gaza me racemutet e tij,,bastard trushpelare