Qeveria ndryshon ligjin e Shërbimit Informativ, në fokus siguria ekonomike, kërcënimet kibernetike dhe infrastruktura kritike
Qeveria e Edi Ramës po përgatit një zgjerim të ndjeshëm të kompetencave të Shërbimit Informativ të Shtetit, përmes një pakete ndryshimesh ligjore që forcojnë rolin e inteligjencës shqiptare dhe zgjerojnë fushat ku do të mbledhë informacion.
Projektligji i miratur sot në qeveri parashikon ndryshime në ligjin “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, duke e riemërtuar institucionin zyrtarisht si “Shërbimi Informativ i Shtetit” ose SHISH.
Por ndryshimi nuk mbetet vetëm te emri. Paketa e re zgjeron ndjeshëm spektrin e monitorimit dhe mbledhjes së informacionit nga inteligjenca shqiptare, duke futur për herë të parë në fokus kërcënimet ekonomike, sulmet kibernetike, kërcënimet hibride dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit.
Sipas draftit, SHISH do të mbledhë informacion jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare, sigurinë kolektive dhe sfidat globale.
Në projektligj përfshihen si objekt monitorimi:
-aktivitetet e shërbimeve të huaja inteligjente;
-terrorizmi dhe ekstremizmi;
-krimet kundër mjedisit;
-prodhimi dhe përhapja e armëve të dëmtimit në masë;
-stabiliteti i brendshëm dhe rajonal;
-siguria ekonomike;
kërcënimet kibernetike;
-kërcënimet hibride;
-infrastruktura kritike dhe strategjike e Shqipërisë.
Për herë të parë, siguria ekonomike dhe infrastruktura kritike futen zyrtarisht në radarët e inteligjencës shqiptare, në një kohë kur qeveria po e lidh gjithnjë e më shumë sigurinë kombëtare me ekonominë, teknologjinë dhe mbrojtjen digjitale.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është aksesi që SHISH do të ketë në bazat shtetërore të të dhënave.
Projektligji i jep shërbimit të inteligjencës të drejtën për akses në databazat shtetërore, përmes marrëveshjeve ndërinstitucionale, duke zgjeruar ndjeshëm mundësitë për grumbullimin dhe analizimin e informacionit.
Paralelisht, drafti parashikon edhe mbrojtje më të forta për vetë punonjësit e SHISH-it. Ata do të përjashtohen nga detyrimi për deklarimin publik të pasurisë dhe të ardhurave, ndërsa kontrolli i tyre do të kryhet vetëm nga një strukturë e brendshme e shërbimit sekret.
Po ashtu, projektligji rrit trajtimin financiar dhe statusin e drejtuesve të SHISH-it, duke përcaktuar pagesa dhe pensione suplementare të veçanta për Drejtorin dhe Zëvendësdrejtorin.
Ndryshimet vijnë në një moment kur kërcënimet kibernetike, sulmet ndaj sistemeve digjitale dhe çështjet e sigurisë rajonale janë kthyer në prioritet për qeverinë shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.
Megjithatë, zgjerimi i kompetencave të inteligjencës dhe aksesi në të dhënat shtetërore pritet të hapin debat të fortë politik dhe juridik për balancën mes sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje