TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Maj 2026, 14:35

"Arresti me burg”, barra e provës kalon te Prokuroria

Shkruar nga Pamfleti
"Arresti me burg”, barra e provës kalon te Prokuroria
Gjykata e Larte

Vendimi i ri detyron gjykatat të analizojnë masat alternative dhe i ngarkon prokurorisë barrën e provës për nevojën e izolimit

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosën sot të ndryshojnë pjesërisht praktikat e caktimit të masave të sigurisë për personat e ndaluar, ku masa më ekstreme është ajo e “arrestit me burg”.

Bazuar në vendimin e shpallur në emër të Gjykatës së Lartë nga Sokol Sadushi, Gjykatat në Republikën e Shqipërisë, do të duhet të arsyetojnë sepse masa e sigurisë “arrest me burg” është më e përshtatshme se masat e tjera të sigurisë që aplikohen në Shqipëri.

Kjo do të thotë se gjyqtarët që firmosin vendimet mbi masat e sigurisë duhet të argumentojnë sepse në një rast të “arrestit me burg” kjo masë është më e përshtatshme se masat e tjera si prsh “arrest shtëpie”, “detyrim paraqitje” etj. Në këtë kuadër, bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë të bërë publik më 4 maj 2026, gjyqtarët apo Gjykatat kanë detyrimin të arsyetojnë se përse masat alternative janë të papërshtatshme për t’u caktuar.

Në thelb të vendimit qëndron detyrimi i gjykatës për të shqyrtuar realisht masat alternative ndaj heqjes së lirisë. Sipas Kolegjit, praktika e mëparshme, ku mjaftonte arsyetimi se “arresti në burg” ishte masa më e përshtatshme pa analizuar opsionet e tjera, bie ndesh me nenet përkatëse të Kodit të Procedurës Penale dhe me nenin 5 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë kuadër, gjykatat duhet të japin arsyetim të qartë, të individualizuar dhe të bazuar në fakte konkrete përse masat më të buta nuk janë të mjaftueshme.

Vendimi thekson gjithashtu se “arresti në burg” duhet të mbetet një masë përjashtimore. Rrezikshmëria e një personi nuk mund të përcaktohet vetëm nga natyra e veprës penale apo dënimi i parashikuar, por duhet të mbështetet në një analizë të detajuar të rrethanave konkrete, përfshirë mënyrën e kryerjes së veprës, pasojat, si dhe të dhënat personale dhe familjare të të dyshuarit.

Një tjetër element kyç i vendimit është zhvendosja e barrës së provës tek organi i akuzës. Kolegjet e Bashkuara përcaktojnë se është Prokuroria ajo që duhet të justifikojë nevojën për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg”, ndërsa gjykata ka detyrimin ta verifikojë këtë nevojë në çdo fazë të procesit. Vendimmarrja nuk mund të kushtëzohet nga mungesa e provave nga ana e të pandehurit.

Ky vendim i Gjykatës së Lartës pritet të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në mënyrën se si gjykatat shqiptare do të trajtojnë kërkesat për masa sigurimi. Ai pritet të rrisë standardin e arsyetimit gjyqësor, të kufizojë përdorimin e arrestit në burg si zgjidhje të parë dhe të garantojë një kontroll më të rreptë dhe proporcional mbi kufizimin e lirisë personale. Vendimi synon të kontribuojë në njëtrajtshmërinë dhe parashikueshmërinë e praktikës gjyqësore, duke e harmonizuar atë me Kushtetutën dhe standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Detyrimi për shqyrtimin e masave alternative

Në pikën e parë të vendimit, Kolegjet e Bashkuara rrëzojnë qasjen e deritanishme sipas së cilës gjykatat nuk kishin detyrimin të analizonin realisht masat alternative ndaj arrestit në burg. Sipas interpretimit të ri, një praktikë e tillë bie ndesh me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç” të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5, paragrafi 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykatat tashmë duhet të shqyrtojnë në mënyrë konkrete dhe të argumentuar çdo masë më pak kufizuese të lirisë personale, duke shpjeguar qartë pse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Arsyetimi kërkohet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat specifike të çështjes.

“Arresti në burg” si masë përjashtimore

Vendimi thekson se masa “arrest në burg” ka karakter përjashtimor dhe duhet të përdoret vetëm kur çdo alternativë tjetër rezulton e papërshtatshme. Kolegjet e Bashkuara sqarojnë se vlerësimi i rrezikshmërisë nuk mund të mbështetet vetëm në natyrën e veprës penale apo në dënimin e parashikuar nga ligji.

Në vend të kësaj, kërkohet një analizë gjithëpërfshirëse e rrethanave konkrete, duke përfshirë mënyrën e kryerjes së veprës, pasojat e saj, si dhe elemente që lidhen me personalitetin, sjelljen dhe gjendjen personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa.

Barra e provës mbi prokurorinë

Një tjetër element thelbësor i vendimit është përcaktimi i qartë i barrës së provës. Sipas Kolegjit, është prokuroria ajo që duhet të justifikojë nevojën për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg”. Gjykata, nga ana e saj, ka detyrimin të verifikojë këtë nevojë në çdo fazë të procedimit penal.

Vendimi thekson se gjykata nuk mund ta kushtëzojë vendimmarrjen nga fakti nëse i pandehuri paraqet apo jo prova në favor të tij, duke forcuar kështu parimin e prezumimit të pafajësisë dhe mbrojtjen procedurale./Pamfleti

gjykata e larte masat e sigurise arresti

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje