Gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka ka deklaruar në Prokurorinë e Posaçme se nuk ka shkelur ligjin kur nuk ka deklaruar një vendim penal të vitit 2005 nga një gjykatë e Janinës.
Dëshmia e saj vjen pas kallëzimit të Partisë Demokratike për falsifikim të formularëve dhe vulave.
Në procesverbalin e dhënë para SPAK, Gjoka mohon dijeninë për çdo procedim penal ndaj saj në Greqi dhe për ekzistencën e një vendimi gjyqësor.
“Nuk kam patur asnjë herë dijeni as për procesin hetimor penal të zhvilluar ndaj meje, as për procesin gjyqësor dhe për asnjë proces tjetër të zhvilluar nga autoritetet greke të drejtësisë”, ka deklaruar Gjoka.
Ajo lidh refuzimin e hyrjes në Greqi në vitet 2002 dhe 2003 me një incident në kufi, jo me ndonjë procedim penal.
“Në muajin Dhjetor të vitit 2002, jam paraqitur në PKK Kakavijë, për të udhëtuar drejt shtetit Grek dhe pas një debati që kam bërë me punonjësit e policisë kufitare, për shkak të mënyrës së sjelljes së tyre arbitrare, më është refuzuar hyrja për në shtetin Grek, duke më vendosur kryq në vizën me të cilën isha pajisur pranë ambasadës greke në Tiranë”, thuhet në dëshmi.
Gjoka shton se nga viti 2007 ka hyrë normalisht në territorin grek dhe nuk i është komunikuar asnjë vendim penal, hetim apo masë administrative nga autoritetet greke. Sipas saj, edhe vetë ligji grek e konsideron çështjen të arkivuar dhe pa vendim të formës së prerë.
Dëshmia u bë publike nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë paraqitjes së tij në SPAK për masën e detyrim paraqitjeje në dosjen “Partizani”. Gjoka ka qenë gjyqtarja e hetimit paraprak në këtë çështje.
Berisha pretendon parregullsi në procesverbalin e dëshmisë, duke deklaruar se dokumenti është dërguar në gjykatë pa firmat e hetuesve.
“Ky është hetimi që ka bërë Altin Troplini për Irena Dumanin. Tani, që një procesverbal, një dëshmi, do u përgjigjet pyetjeve ai që është thirrur, pa diskutim. Por që hetuesit, Toni Gramo dhe Elton Kërluku, nuk e kanë firmosur. Është për Guiness, miq.
Dosje gjyqësore e dërguar në gjykatë. Pse nuk e kanë firmosur? Nuk kanë dashur të firmosin mashtrimet e Irenës me 5 mbiemra”, tha Berisha.
Çështja ndodhet në gjykatë. SPAK ka kërkuar pushimin e procedimit penal me argumentin se procesi në Greqi është zhvilluar në mungesë dhe pa dijeninë e Gjokës. Prokuroria shton se edhe nëse merret i mirëqenë vendimi penal, ndjekja penale është shuar për shkak të parashkrimit.
Lini një Përgjigje