Këtë të hënë me 9 mars në Gjykatën e Posaçme të Apelit po mbahet seanca e masës së sigurimit “pezullim nga ushtrimi i detyrës” për ish-zv kryeministren Belinda Balluku, pas arsyetimit të vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
Apeli i GjKKO ka rrëzuar Belinda Ballukun, duke lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Miliana Muça e cila shqyrtoi ankimin e bërë nga avokatët e Ballukut të masës së sigurimit.
Balluku nuk është më ministre e Infrastrukturës dhë Energjitikës dhe zëvendëskryeministre dhe Apeli i Posaçëm duhet të marrë një vendim, qoftë edhë për të konstatuar që nuk ka objekt për këtë çështje.
Gjykata Kushtetuese u shpreh në 6 shkurt, për kërkesën e paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në muajin nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjykata Kushtetuese vendosi që të rrëzojë padinë e qeverisë, pasi gjyqtarët votuan 4 pro dhe 4 kundër, duke mos arritur kuorumin e nevojshëm. Kështu, u rikthye masa e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun, e cila ishte hequr më 12 dhjetor 2025, po me verdikt të kësaj gjykate.
“Gjykata thekson se sipas Kushtetutës, sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës, sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës, ligjit më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja e balancimi ndërmjet pushteteve, ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje. Sipas njërit qëndrim, Gjykata është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre, por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit”, thuhet në njoftimin zyrtar, pas 11 orësh shqyrtim nga togat e zeza.
Ndërkohë në Kryesinë e Kuvendit po zhvillohet mbledhja e grupit të PS, ku pritet të shpallet edhe vendimi i socialistëve për kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Në mbledhje do të mbajë fjalën kryesocialisti Edi Rama.
Hartimi i raportit të 5 anëtarëve të PS në Këshillin e Mandateve i është besuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjës. Taulant Balla ka porositur që të jenë të pranishëm të gjithë deputetët, ndërsa nuk do të mungojë as Balluku.
Lini një Përgjigje