Eksperti i sigurisë shpjegon distancën, trajektoren dhe mbrojtjen ajrore që do të neutralizonte çdo kërcënim të mundshëm nga Irani drejt Shqipërisë.
Drejtuesi i Qendrës Marshall në Shqipëri, Ermal Jauri, analizoi në emisionin “Review” mundësinë që një raketë balistike e lëshuar nga Irani të godasë territorin shqiptar. Ai sqaroi se nga pikëpamja teorike një skenar i tillë mund të imagjinohet për shkak të kapaciteteve të raketave iraniane dhe distancës mes dy vendeve.
Sipas tij, disa raketa balistike iraniane kanë rreze veprimi deri në 2000–2500 kilometra, ndërsa distanca mes Iranit dhe Tiranës është rreth 2000 kilometra. Kjo e bën të mundur në teori që një raketë të përshkojë këtë distancë.
Megjithatë, Jauri theksoi se në praktikë një sulm i tillë nuk paraqet rrezik real për Shqipërinë për shkak të sistemit të mbrojtjes ajrore të NATO-s dhe të vendeve aleate në rajon. Ai shpjegoi se një raketë e nisur nga Irani drejt Shqipërisë do të duhej të kalonte mbi territorin e Turqisë dhe Greqisë, dy shtete anëtare të NATO-s që disponojnë sisteme të avancuara mbrojtjeje raketore.
Këto sisteme, si Patriot dhe NASAMS, janë të ndërtuara për të identifikuar dhe interceptuar raketat që hyjnë në hapësirën ajrore të vendeve ku janë vendosur.
Jauri vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria përfiton nga sistemi kolektiv i mbrojtjes së NATO-s. Edhe pse vendi nuk ka avionë luftarakë për mbrojtjen e hapësirës ajrore, Aleanca realizon patrullimin dhe ndërhyrjen në rast kërcënimi.
“Në aspektin teorik, po, Irani mund ta godasë Shqipërinë. Pse? Sepse një raketë balistike ka rreze veprimi rreth 2000 deri në 2500 kilometra dhe distanca nga Irani në Tiranë është afërsisht 2000 kilometra. Pra, në teori një raketë mund ta përshkojë këtë distancë. Por në praktikë kjo është pothuajse e pamundur. Që një raketë të lëshohet nga Irani drejt Shqipërisë, trajektorja e saj do të zgjaste rreth 20 minuta ose edhe më shumë. Gjatë kësaj kohe ajo duhet të kalojë mbi territorin e dy vendeve anëtare të NATO-s, Turqisë dhe Greqisë. Të dyja këto vende kanë sisteme të avancuara të mbrojtjes raketore, si Patriot dhe NASAMS, të cilat janë sisteme amerikane dhe janë të dizajnuara pikërisht për të interceptuar raketat balistike. Në momentin që një raketë do të hynte në hapësirën ajrore të këtyre vendeve, ajo do të identifikohej dhe do të neutralizohej. Për më tepër, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Edhe pse ne nuk kemi forca ajrore për mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore, kjo mbrojtje realizohet në kuadër të NATO-s. Koha e reagimit të NATO-s për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Shqipërisë është shumë e shpejtë, rreth 2 deri në 6 minuta. Kjo do të thotë se avionët e NATO-s nga bazat e tyre në rajon mund të ndërhyjnë menjëherë dhe të neutralizojnë çdo raketë që mund të ketë kaluar sistemet e mbrojtjes së Turqisë apo Greqisë. Prandaj, në praktikë është totalisht e pamundur dhe nuk paraqet asnjë rrezik real që Irani të godasë Shqipërinë me raketa. Madje, edhe nga përvoja që kemi parë në sulmet e Iranit ndaj Izraelit, një raketë e vetme nuk mund të depërtojë një sistem të mirë mbrojtjeje ajrore. Për të pasur një probabilitet që një raketë të kalojë, Irani do të duhej të lëshonte dhjetëra raketa njëkohësisht. Edhe në një skenar të tillë, sistemet e mbrojtjes raketore dhe forcat ajrore të NATO-s do të ishin në gjendje të ndërhynin dhe ta neutralizonin kërcënimin shumë përpara se raketa të arrinte në objektivin e saj”, tha ai.
Lini një Përgjigje