Ndërsa afati për dorëzimin e kandidaturave për drejtimin e Policisë së Shtetit po shkon drejt mbylljes, kanë nisur të dalin në dritë disa nga emrat e oficerëve që kanë vendosur të garojnë për postin e drejtorit të përgjithshëm.
Sipas informacioneve nga "A2 Cnn", cmes kandidatëve është oficeri i karrierës Pëllumb Seferi, me 28 vite eksperiencë në polici, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Shoqatës së Studentëve Europianë që diplomohen nga FBI në SHBA.
Për postin e kryepolicit kandidon edhe drejtori aktual i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, me 25 vite karrierë, i cili konsiderohet një nga kandidatët potencialë.
Një tjetër emër në këtë garë është edhe drejtori i Policisë së Durrësit, Afrim Tafa. Po ashtu kanë paraqitur kandidaturën edhe oficerët Lutfi Minxhozi dhe Idajet Faskaj.
Në dy ditët e mbetura deri në përfundimin e afatit pritet që listës së kandidatëve t’i shtohen edhe emra të tjerë, përfshirë disa që janë përfolur që në momentin e hapjes së garës, si Tonin Vocaj dhe drejtori aktual i Policisë së Fierit, Skënder Hitaj.
Lini një Përgjigje