Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e parë në themel për dosjen kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në seancë është paraqitur prokurori i SPAK Ols Dado, ndërsa kryebashkiaku Veliaj nuk është prezent.
Mbrojtja e Veliajt ka lexuar një deklaratë të kryetarit të Tiranës nga paraburgimi i Durrësit ku shprehet: “Nuk dua të paraqitem në seancë”.
Trupa gjyqësore që po shqyrton çështjen në themel përbehet nga Engjëllushe Tahiri, Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Sipas Prokurorisë, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.Veliaj ka kërkuar prej kohësh lirimin nga qelia, kërkesë e cila është rrëzuar nga të tre shkallët e gjyqësorit. Ai i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e masës së sigurisë, ndërsa gjykata e ka pranua shqyrtimin e kërkesës në seancë.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 3 nëntor të vitit të kaluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke e gjetur atë të papajtueshëm me Kushtetutën.
Lini një Përgjigje