Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua këtë të martë seanca e radhës ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar nga SPAK për korrupsion aktiv në zgjedhje. Por dëshmitë e dhëna në sallën e gjyqit duket se kanë rrëzuar pretendimet e Prokurorisë së Posaçme.
Ashtu si në seancën e kaluar, edhe këtë herë SPAK vijoi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, të cilët në thelb mohuan që investimi për linjën elektrike në fshatin Stajkë të ishte bërë në këmbim të votave.
I pari që dëshmoi ishte kryeplaku i fshatit Stajkë, Frano Dajani, i cili deklaroi se problemi i energjisë elektrike në zonë ekzistonte prej vitesh dhe ishte ngritur vazhdimisht në mbledhje.
“Jam banor i fshatit Stajkë dhe kryeplak i zonës. Aty ka pasur probleme prej kohësh me energjinë. Kanë qenë shtylla druri dhe situata ishte problematike. Këtë çështje e kemi diskutuar disa herë. Nuk jam në dijeni që investimi të jetë bërë për zgjedhjet apo për vota”, deklaroi ai para togave të zeza.
Një tjetër dëshmi që duket se ka dobësuar akuzën e SPAK ishte ajo e Marsel Gjonajt, specialist në sektorin juridik të Bashkisë Vau i Dejës, i cili tha se investimi ishte kryer nga OSHEE dhe jo nga bashkia apo me urdhër politik.
“Unë di që punimet janë bërë nga OSHEE në fshatin Stajkë. Kristian Shkreli nuk më ka telefonuar dhe nuk më ka kërkuar asnjë ndihmë për makinën me kosh”, u shpreh ai.
Po në të njëjtën linjë dëshmoi edhe Gjergj Gjonaj, personi që kishte vënë në dispozicion makinën me kosh për elektricistët.
“Mua më mori në telefon Frrok Marku dhe më kërkoi ndihmë për punimet. Kam punuar vetëm disa orë. Me Kristian Shkrelin nuk kam folur dhe as jam takuar”, deklaroi ai në sallën e gjyqit.
Dëshmitë e dhëna këtë të martë duket se kanë krijuar një tjetër panoramë nga ajo e pretenduar nga SPAK, ndërsa mbrojtja e kryebashkiakut po insiston se bëhet fjalë për një investim të domosdoshëm për banorët dhe jo për favor elektoral.
Lini një Përgjigje