TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Maj 2026, 17:35

Pas skandalit me ndërtimet, Hita “shkund” komisariatin e Sarandës: Kush shkel ligjin, do përballet me drejtësinë

Shkruar nga Pamfleti
Pas skandalit me ndërtimet, Hita “shkund” komisariatin e
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita në Sarandë

Pas arrestimit të kupolës drejtuese të Policisë së Sarandës për favorizim të ndërtimeve pa leje, drejtori i përgjithshëm Skënder Hita paralajmëroi masa të forta kundër çdo punonjësi policie që shkel ligjin dhe garantoi “pastrim” të radhëve të policisë nga elementët e korruptuar.

Pas skandalit me ndërtimet ku u arrestua kupola e Policisë së Sarandës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi ditën e sotme një takim në Sarandë, ku dha mesazhe të forta kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë brenda radhëve të policisë.

Në fjalën e tij, Hita theksoi se Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe të ligjit, duke paralajmëruar se askush nuk do të mbrohet nga uniforma nëse shkel ligjin. Ai u shpreh gjithashtu se zbatimi i ligjit, për të si Drejtor i Përgjithshëm dhe për institucionin që drejton është primar, ashtu siç është primar edhe shërbimi ndaj qytetarëve. 

“Kur një punonjës policie devijon nga ligji, cenohet besimi i qytetarëve te shteti dhe drejtësia. Reagimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm, i fortë dhe pa kompromis. Por dua të jem shumë i qartë: veprimet e disa individëve nuk përfaqësojnë Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të parandaluar dhe goditur fenomenin e ndërtimeve pa leje dhe çdo paligjshmëri tjetër, pa asnjë kompromis”, deklaroi Hita.

Kreu i Policisë u ndal edhe te arrestimi i disa drejtuesve dhe punonjësve të policisë Sarandë, të cilët akuzohen për favorizim dhe lejim të ndërtimeve pa leje në një prej zonave më të rëndësishme turistike të vendit. Sipas tij, situata është e papranueshme për integritetin e institucionit dhe çdo efektiv që përfshihet në paligjshmëri do të përballet me drejtësinë, pavarësisht funksionit apo gradës që mban.

“Uniforma e Policisë së Shtetit nuk do të përdoret kurrë si mburojë për paligjshmëri. Kjo është e papranueshme për integritetin e Policisë së Shtetit. Është e papranueshme për mua, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që një punonjës policie të bëhet palë me shkelësit e ligjit”, u shpreh drejtori i përgjithshëm gjatë takimit.

Hita theksoi gjithashtu se lufta kundër ndërtimeve pa leje nuk është vetëm përgjegjësi e Policisë së Shtetit, por kërkon koordinim të plotë mes institucioneve si IKMT, IMT, Policia Bashkiake dhe pushteti vendor.

Ndërkohë, paralajmëroi se ndërtimet pa leje po dëmtojnë zhvillimin urban dhe potencialin turistik të Sarandës, sidomos në prag të sezonit veror, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga të gjitha institucionet përgjegjëse.

"Ndërtimet pa leje dëmtojnë imazhin e qytetit, cenojnë zhvillimin urban, rëndojnë infrastrukturën, dëmtojnë pronën publike dhe private, por mbi të gjitha dëmtojnë të ardhmen turistike të Sarandës, një qytet që është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit. Ndaj, reagimi ynë duhet të jetë i përbashkët dhe i vendosur", thuhet në fjalën e tij.

Në përfundim të fjalës së tij, Skënder Hita u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi apo neglizhence nga ana e efektivëve të policisë.

“Policia e Shtetit, me mbështetjen e qytetarëve dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese, do të vazhdojë të pastrohet nga çdo individ që cenon ligjin dhe besimin e qytetarëve. Ky është një detyrim ndaj qytetarëve, ndaj uniformës dhe ndaj Shqipërisë që duam të ndërtojmë”, deklaroi ai.

Fjala e plotë e Skënder Hitës:

Policia e Shtetit është një organizatë në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të qytetarëve dhe në shërbim të tyre. Ky është misioni ynë dhe mbi këtë mision ndërtohet besimi që qytetarët duhet të kenë te uniforma e Policisë së Shtetit.

Sot nuk jemi këtu vetëm për të folur për një rast paligjshmërie. Jemi këtu për të dhënë një mesazh të qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe uniforma e Policisë së Shtetit nuk do të përdoret kurrë si mburojë për paligjshmërinë.

Në këtë kontekst, sot ndihem i keqardhur dhe njëkohësisht i vendosur, pasi në një nga komisariatet më të rëndësishme të vendit, i cili nga struktura funksionon në nivel drejtorie vendore, janë arrestuar drejtues dhe punonjës të niveleve të ndryshme, për shkak të implikimit të tyre në favorizimin dhe lejimin e ndërtimeve pa leje.

Kjo është e papranueshme për integritetin e Policisë së Shtetit. Është e papranueshme për mua, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që një punonjës policie të bëhet palë me shkelësit e ligjit. Kushdo që mban uniformën e Policisë së Shtetit duhet të jetë në anën e ligjit dhe të qytetarëve, jo në anën e paligjshmërisë.

Kur një punonjës policie apo agjencie ligjzbatuese devijon nga ligji, nuk dëmtohet vetëm institucioni, por cenohet besimi i qytetarëve te shteti dhe te drejtësia. Pikërisht për këtë arsye, reagimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm, i fortë dhe pa asnjë kompromis.

Por dua të jem shumë i qartë: veprimet e disa individëve nuk përfaqësojnë Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të parandaluar dhe goditur fenomenin e ndërtimeve pa leje dhe çdo paligjshmëri tjetër, pa asnjë kompromis.

Në të njëjtën kohë, duhet ta themi hapur dhe me sinqeritet se parandalimi i ndërtimeve pa leje nuk është vetëm detyrë e Policisë së Shtetit. Pa diskutim që policia ka barrën kryesore në zbatimin e ligjit dhe në goditjen e paligjshmërisë, por ky është një proces që kërkon bashkëpunim dhe koordinim të përhershëm institucional.

IMT-ja, Policia Bashkiake, IKMT-ja, pushteti vendor dhe çdo institucion përgjegjës duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin, për të parandaluar në kohë çdo rast paligjshmërie. Cilido prej këtyre institucioneve që merr indicie, informacion apo konstaton paligjshmëri, duhet të veprojë menjëherë dhe në koordinim me aktorët e tjerë, duke mos lënë asnjë hapësirë për tolerim apo zvarritje.

Ndërtimet pa leje dëmtojnë imazhin e qytetit, cenojnë zhvillimin urban, rëndojnë infrastrukturën, dëmtojnë pronën publike dhe private, por mbi të gjitha dëmtojnë të ardhmen turistike të Sarandës, një qytet që është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit.
Ndaj, reagimi ynë duhet të jetë i përbashkët dhe i vendosur.

Jemi në prag të sezonit turistik dhe bashkëpunimi institucional është jetik, jo vetëm për parandalimin e ndërtimeve pa leje, por edhe për garantimin e rendit, sigurisë publike, sigurisë në plazhe, kontrollit të mjeteve lundruese dhe krijimin e standardeve që qytetarët dhe turistët presin nga ne.

Policia e Shtetit do të jetë në terren, me tolerancë zero ndaj paligjshmërisë, por presim që çdo institucion të marrë përgjegjësitë e veta dhe të veprojë me të njëjtën vendosmëri.

Pa diskutim, edhe drejtësia duhet të jetë e fortë dhe e vendosur ndaj çdo punonjësi publik apo çdo shtetasi që shkel ligjin dhe cenon interesin publik. Prokuroria është mburoja jonë në aspektin e zbatimit të ligjit, ndërsa gjykata është pasqyra e punës sonë, duke garantuar që të gjithë ata që janë përgjegjës për paligjshmëri, përfshirë rastet e ndërtimeve pa leje, të përballen me drejtësinë.

Cilido qytetar që disponon informacion, qoftë edhe për neglizhencë të punonjësve të policisë në dëgjimin dhe trajtimin e shqetësimeve të qytetarëve apo të rasteve të paligjshmërisë, jo vetëm në fushën e krimeve mjedisore, por në çdo fushë ku paligjshmëria gjen terren dhe lulëzon, apo për mbyllje sysh dhe bashkëpunim me shkelësit e ligjit, të më përcjellë 24/7 informacion të bazuar në prova dhe fakte.

Dua t’i siguroj sot jo vetëm qytetarët e Sarandës, por qytetarët në mbarë vendin, se jam shumë i vendosur për të larguar nga Policia e Shtetit dhe për t’i çuar para drejtësisë, pa asnjë hezitim, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorinë, cilindo punonjës policie, pavarësisht nivelit apo gradës që mban.

Zbatimi i ligjit, për mua si Drejtor i Përgjithshëm dhe për institucionin që drejtoj, është primar, ashtu siç është primar edhe shërbimi ndaj qytetarëve. Përmbushja e këtyre dy objektivave madhore kërkon integritet, vullnet, bashkëpunim dhe mbështetje për njerëzit që punojnë çdo ditë në terren. Kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim nga ana ime nuk do t’u mungojnë kurrë.
Nuk do të toleroj askënd që tradhton detyrën. Ky është standardi që kam ndjekur që ditën e parë të detyrës si Drejtor i Përgjithshëm dhe nga ky standard nuk do të tërhiqem në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës sime.

Policia e Shtetit, me mbështetjen e qytetarëve dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese, do të vazhdojë të pastrohet nga çdo individ që cenon ligjin dhe besimin e qytetarëve. Ky është një detyrim ndaj qytetarëve, ndaj uniformës dhe ndaj Shqipërisë që duam të ndërtojmë.

Qytetarët kanë nevojë të besojnë te Policia e Shtetit. Dhe ky besim nuk fitohet me fjalë, por me veprime, me ndershmëri dhe me rezultate konkrete. Ata presin nga ne jo justifikime, por rezultate dhe detyra jonë është t’ua japim ato.

 

skender hita policia e shtetit komisariat ligje drejtesi

1 Komente

  1. M
    Mali

    Nuk besoj fare tek shteti dhe as drejtesia ne shqiperi ,por Hita duket qe po punon me drejtesi ,sa do pak po perpiqet ti ktheje fytyren dhe ndershmerine policise.Vazhdoni punen e mire z.Hita ,pastroni policine nga kriminelet me uniforme, puna e mire duket dhe vleresohet nga njerezit, Bravo

    Lini një Përgjigje