TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Prill 2025, 17:57

A refuzoi RENEA urdhrat e SPAK për aksionin në Elbasan? Policia e Shtetit përplaset me PD-në

Shkruar nga Pamfleti

A refuzoi RENEA urdhrat e SPAK për aksionin në Elbasan? Policia e

Partia Demokratike ka akuzuar sot policinë se nuk ka zbatuar urdhrat e SPAK për aksionin që po zhvillohet në Elbasan.

BKH dhe SPAK kanë ushtruar kontrolle te disa biznese të lidhur me Suel Çelën, por Belind Këlliçi ka hedhur akuza se policia ka refuzuar të bëjë kontrolle te pronat e Suel Çelës, pasi sipas tij, kjo bëhet për shkak të fushatës.

Narko-drejtori ka refuzuar të zbatojë një urdhër të Prokurorisë së Posaçme për të kontrolluar tregun e Elbasanit, bazën e aktiviteteve të paligjshme të bandës kryesore të Ramës dhe PS në rajon, grupit të Suel Çelës. Ky është një veprim jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por edhe dëshmi e dorëzimit të shtetit në duart e krimit të organizuar. Rama e shtyn dhe e frymëzon SPAK kur ka nevojë, dhe i vihet kundra, e poshtëron kur i prek interesat. Ky është standardi i tij me drejtësinë dhe Europën. Më shumë se kaq, kjo është përpjekje e hapur e Edi Ramës, që me anë të bandave të kontrollojë e vjedhë dhe këto zgjedhje”, tha ai.

Por lidhur me këtë deklaratë ka reaguar Policia e Shtetit, e cila e ka përgënjeshtruar Këlliçin. Sipas saj, Policia e Shtetit nuk ka refuzuar asnjëherë të përmbushë detyrat e ngarkuara sipas ligjeve në fuqi, por i ka zbatuar dhe përmbushur ato me profesionalizëm e konform ligjit.

Policia e Shtetit shpreh indinjatën e thellë për përpjekjet e vazhdueshme të përfaqësuesve të subjektit politik “Partia Demokratike” për të përbaltur punën e Policisë së Shtetit, punë e cila vlerësohet përditë nga partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese më prestigjioze ndërkombëtare.

Deklarata e sotme nuk është asgjë tjetër veçse vijim i përpjekjeve të përditshme, duke sajuar e akuzuar pa të drejtë qindra mijëra punonjës të Policisë së Shtetit dhe stafet drejtuese të tyre.

Policia e Shtetit, siç ka treguar besueshmëri e profesionalizëm, përkushtim e vendosmëri përkrah partnerëve në luftë kundër krimit, edhe me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit ka të njëjtin standard dhe marrëdhënie mjaft të mira në interes të zbatimit të ligjit.

Sqarojmë opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ka refuzuar asnjëherë të përmbushë detyrat e ngarkuara sipas ligjeve në fuqi, por i ka zbatuar dhe përmbushur ato me profesionalizëm e konform ligjit.

Këto sulme, duke tentuar të intimidojnë strukturat dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit, kanë vetëm një qëllim, të frenojnë revanshin e ligjit në territor ndaj çdo paligjshmërie, si dhe të krijojnë krisje të besimit të qytetarëve te Policia, e cila është institucioni më i besuar nga qytetarët, bazuar kjo në anketimet e bëra nga organizatat ndërkombëtare që asistojnë punën e Policisë së Shtetit.

Për Policinë e Shtetit, qytetari dhe ligji janë të shenjta, dhe këtë aleancë nuk do të mund ta cenojnë shpifjet nëpërmjet shkrimeve në rrjete sociale e portale apo deklaratat politike.

Cilido punonjës policie që do të shkelë këtë aleancë dhe do të bëhet palë me paligjshmërinë, do të marrë ndëshkimin më të ashpër sipas ligjit, duke u përballur me drejtësinë dhe me largimin e menjëhershëm nga radhët e Policisë së Shtetit.

Garantojmë qytetarët dhe të gjitha subjektet politike se Policia e Shtetit është tërësisht e baraslarguar nga subjektet politike dhe e fokusuar vetëm në zbatimin e ligjit, garantimin e rendit e sigurisë përgjatë fushatës elektorale dhe paprekshmërisë së votës gjatë ditës së votimit”, thuhet në deklaratën e policisë.

Lini një Përgjigje