TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Shkurt 2026, 14:32

20 vite nga grabitja më e madhe në historinë e Britanisë, si dy tropojanë zhdukën 32 milionë paund që nuk u gjetën kurrë 

Shkruar nga Pamfleti
20 vite nga grabitja më e madhe në historinë e Britanisë, si
Jetmir Bucpapa dhe Ermir Hysenaj

Si sot 20 vite më parë, u regjistrua grabitja më e madhë ndonheherë në Britaninë e Madhe, ku mes të përfshirëve ishin edhe dy shtetas shqiptarë.

Ngjarja tronditi vendin në vitin 2006, kur nga një depo parash në Kent, në jug të Anglisë, u grabitën 53 milionë stërlina, nga të cilat rreth 32 milionë nuk u gjetën kurrë.

Grabitesit goditën depon e kompanisë “Securitas”, e cila administronte para në emër të Bankës së Anglisë. Sipas hetimeve dhe procesit gjyqësor që pasoi, një rol të rëndësishëm në organizimin e grabitjes luajtën dy të rinj nga Tropoja, Jetmir Bucpapa dhe Ermir Hysenaj, të dy emigrantë në Mbretërinë e Bashkuar.

Prokuroria britanike deklaroi gjatë gjyqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda “Old Bailey” se Ermir Hysenaj kishte punuar në depon e parave dhe konsiderohej si “inside man”, pra personi i brendshëm që ndihmoi grupin. Ai kishte filmuar me kamera të fshehtë hyrje-daljet dhe sistemet e alarmit, si dhe kishte hartuar një plan të detajuar të objektit. Sipas akuzës, këto të dhëna iu kaluan bashkëpunëtorëve të tij, përfshirë Jetmir Bucpapën.

Ky i fundit punonte si roje sigurie në lokale nate në zonën e Kentit dhe, sipas hetimeve, kishte lidhje me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Gjatë procesit gjyqësor, grabitja u përshkrua nga gjykata si e realizuar me “disiplinë ushtarake”.

Në natën e grabitjes, banda rrëmbeu menaxherin e depos, Colin Dixon, teksa po shkonte në punë, ndërsa bashkëshortja dhe djali i tij u morën peng në shtëpinë e tyre. Të armatosur dhe me maska, grabitësit lidhën punonjësit e tmerruar të depos përpara se t’i mbyllnin në kafazet ku ruheshin paratë.

Pas një gjyqi disa mujor në vitin 2007, Jetmir Bucpapa, së bashku me Stuart Royle, Roger Coutts dhe Lea Rusha, u dënuan me burgim të përjetshëm për rolin e tyre në grabitje. Ermir Hysenaj u dënua me 20 vite burg. Pas vuajtjes së dënimit, dy shqiptarët u dëbuan në Shqipëri.

Ndërkohë, figura të tjera të përfshira në grabitje, si Lee “Lightning” Murray dhe Paul Allen, tentuan të largoheshin drejt Marokut.

Edhe pse çështja nuk është më një hetim aktiv, Policia e Kentit bën me dije se dosja mbetet nën rishikim të vazhdueshëm. Superintendenti Detektiv Gavin Moss ka deklaruar se autoritetet kanë zhvilluar hetime në mbarë botën për të identifikuar përgjegjësit dhe për të rikuperuar shumën e mbetur të parave, duke theksuar se do të veprohet për çdo provë të re që mund të dalë në dritë.

Sipas autoriteteve britanike, një pjesë e konsiderueshme e parave të vjedhura konsiderohet tashmë e pagjurmueshme, megjithatë po shqyrtohen mundësi ligjore për sekuestrimin e pasurive të personave të përfshirë, në bazë të legjislacionit për të ardhurat nga krimi.

 

jetmir bucpapa dhe ermir hysenaj grabitja ne britanine e madhe

Lini një Përgjigje