
Dinamo mposhti Tiranën me rezultatin 0-2 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja kontrolloi lojën në pjesën më të madhe të takimit dhe konkretizoi epërsinë në minutat e fundit.
Dinamo mori iniciativën që në fillim. Lojtarët e Ilir Dajës ndërtuan disa aksione të pastra dhe iu afruan portës së Tiranës në mënyrë të përsëritur, por pa arritur të zhbllokojnë rezultatin në pjesën e parë.
Goli i parë erdhi në minutën e 76-të. Lorenco Vila përfitoi nga një pasiguri në repartin mbrojtës të Tiranës dhe e dërgoi topin në rrjetë. Aksioni ekspozoi mungesën e koordinimit në vijën defensive të ekipit pritës.
Në minutën e 93-të, Dejvi Bregu mbylli llogaritë. Ai shfrytëzoi hapësirat e krijuara nga Tirana në përpjekje për të barazuar dhe realizoi golin e dytë, duke vulosur fitoren 0-2.
Me këtë rezultat, Dinamo krijon avantazh të rëndësishëm përpara ndeshjes së kthimit, e cila do të zhvillohet në fillim të marsit. Tirana do të duhet të përmbysë dy gola diferencë për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.
Lini një Përgjigje