
Pak ditë më parë, xhudistja kosovare Distria Krasniqi arriti një tjetër sukses të madh, duke fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Pas këtij triumfi, 30-vjeçarja ka deklaruar se nuk po mendon për t’u tërhequr nga sporti, pasi vazhdon të ndihet në formë shumë të mirë fizike.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Krasniqi ka theksuar rëndësinë e stërvitjeve dhe faktin që gjatë karrierës së saj ka qenë e kursyer nga lëndimet serioze.
“Stërvitjet e mira më mbajnë në formë. Jam po ashtu me fat pasi nuk kam pasur asnjë operacion. Ushtroj shumë dhe kam rezultate të mëdha”, ka thënë ajo.
Xhudistja kosovare ka vlerësuar si shumë të rrallë faktin që nuk ka pasur lëndime të rënda gjatë rrugëtimit të saj sportiv, duke e cilësuar këtë si një faktor kyç për vazhdimësinë e karrierës.
“Dhe të mos kem asnjë lëndim serioz gjatë këtij rrugëtimi, është shumë e rrallë. Jam mirënjohëse për këtë dhe kjo natyrisht se ka shumë ndikim në atë që jam në gjendje të vazhdoj”, ka shtuar Krasniqi.
Me sukseset e fundit dhe deklaratat optimiste, Distria Krasniqi konfirmon se mbetet një nga figurat kryesore të xhudos kosovare dhe ndërkombëtare, me synime të qarta për të ardhmen.
Lini një Përgjigje