
Lajmi i publikuar nga “ESPN” ka ngjallur interes në opinionin sportiv, pasi sipas këtij raportimi, Kombëtarja e Portugalisë ka nisur të mendojë për trajnerin e ri që do të marrë drejtimin e ekipit pas Kupës së Botës 2026. Një nga emrat e përmendur është ai Zhoze Murinjos, një figurë e njohur e trajningut portugez dhe ndërkombëtar.
Sipas burimit në fjalë, Murinjo, i cili aktualisht është pjesë e Benfikës, shihet si një nga alternativat kryesore për stolin e kombëtares. Drejtuesit e Federatës Portugeze të Futbollit thuhet se po analizojnë mundësinë e një ndryshimi në krye të ekipit pas përfundimit të Botërorit të vitit 2026.
Nëse kjo pistë konkretizohet, ish-trajneri i Romës pritet të zëvendësojë Roberto Martinez. Kontrata e trajnerit spanjoll me Portugalinë përfundon në fund të Kupës së Botës 2026 dhe, sipas raportimeve, nuk parashikohet rinovimi i saj.
Në këtë kontekst, Murinjo konsiderohet si një profil i përshtatshëm për të marrë drejtimin e “luzitanëve”, falë përvojës dhe emrit të tij në futbollin elitar. Megjithatë, mbetet për t’u parë në javët në vijim nëse kjo ide do të marrë formë konkrete apo do të mbetet vetëm në kuadrin e spekulimeve mediatike.
Lini një Përgjigje