
Ernest Muçi po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij në radhët e Trabzonsporit, me një kthesë të fortë që ka ndodhur vetëm gjatë dy muajve të fundit në futbollin turk.
Sulmuesi shqiptar u transferua te Trabzonspori në formë huazimi nga Beshiktashi, por fillimi i aventurës nuk ishte aspak i lehtë. Në javët e para, Muçi nuk arriti të shfaqte nivelin e pritur, duke përfunduar shpesh në stolin e rezervave dhe duke lënë dyshime për ndikimin e tij në skuadër.
Gjithçka ndryshoi më 24 nëntor, në ndeshjen dramatike ndaj Bashakshehir. Muçi e nisi takimin nga stoli, por u aktivizua gjatë lojës dhe shënoi dy gola vendimtarë, duke i dhënë Trabzonsporit fitoren 4-3. Ky moment shënoi edhe pikën e kthesës për shqiptarin.
Që prej asaj ndeshjeje, Muçi ka qenë thuajse i pandalshëm. Ai ka shënuar me rregullsi si në kampionat ashtu edhe në Kupë, duke regjistruar brenda dy muaj e gjysmë 12 gola dhe 4 asiste. Një rendiment që ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin për të brenda klubit.
Sipas medias turke “Taka Gazete”, drejtuesit e Trabzonsporit deri në atë periudhë po shqyrtonin mundësinë e largimit të tij në janar, duke e konsideruar si një element që nuk po kontribuonte sa duhej. Por forma e shkëlqyer e javëve të fundit ka bërë që ky skenar të hidhet poshtë.
Tashmë, në klub mbizotëron bindja për aftësitë e Muçit dhe drejtuesit pritet të aktivizojnë klauzolën për blerjen përfundimtare të kartonit të tij nga Beshiktashi, duke e bërë sulmuesin shqiptar pjesë të projektit afatgjatë të Trabzonsporit.
Lini një Përgjigje