
Maks Vershtapen është shpallur kampion bote për sezonin e tretë radhazi në Formula 1. Piloti holandez i Red Bull ka festuar pa pritur garën e nesërme në Çmimin e Madh të Katarit, pasi mori pikët që i duheshin për të pasur sigurinë matematikore të vendit të parë që në garën sprint të ditës së sotme.
Gara me 19 xhiro e ditës së sotme u fitua nga Oskar Piastri, pas një kaosi të vazhdueshëm në pistë pasi u desh të futej tre herë makina e sigurisë. Makina e sigurisë hyri për herë të tretë për një përplasje të Serxhio Perez dhe kjo praktikisht vulosi edhe titullin kampion të Vershtapen, i cili u rendit i dyti pas pilotit të MekLaren, duke marrë pikët që i nevojiteshin.
MAX VERSTAPPEN.
— Formula 1 (@F1) October 7, 2023
THREE-TIME WORLD CHAMPION! ???????????? pic.twitter.com/IvcQOA5wu4
Pas garës, teksa festonte me skuadrën e tij, ai tha: “Një ndjesi e mrekullueshme. Një kënaqësi e madhe që arrij të fitoj këtë titull, të cilin e merituam plotësisht. Jam krenar që jam pjesë e kësaj skuadre fituese. Shpresoj që kjo seri pozitive të zgjasë sa më shumë, por tani do të shijoj momentin”.
“Nuk do të ndalemi këtu, pasi sezoni vijon dhe dëshira për të fituar sërish është e madhe edhe pse ka mjaft rivalitet. Gara e sotme ishte mjaft e bukur, por për ne nuk ishte e lehtë edhe pse u argëtuam të gjithë. Pilotët përdorën goma të ndryshme. Gjithsesi, ne deshëm pikët për të fituar titullin dhe ia dolëm mbanë. Jam i lumtur”, tha Vershtapen.
Më pas ishin me radhë Norris, Rasëll, Hemilton, Sainz, Lëklerk dhe Albon të cilët plotësuan zonën e pikëve për garën sprint që dhuroi më shumë emocione se sa pritej falë incidenteve të vazhdueshme, me vetëm 15 makina që plotësuan 19 xhirot.

Lini një Përgjigje