Liverpuli zyrtarizoi mesditën e sotme largimin e Arne Slot nga posti i trajnerit të ekipit të parë, duke i dhënë fund aventurës së teknikut holandez në “Anfield Road”.
Njoftimi u publikua përmes një komunikate zyrtare në rrjetet sociale të klubit anglez. Sipas raportimeve të tabloidit britanik “Daily Mail”, vendimi u mor pas një analize të detajuar të sezonit të sapopërfunduar, ku Liverpuli e mbylli kampionatin në vendin e pestë dhe regjistroi 20 humbje në të gjitha kompeticionet.
Burimi në fjalë raporton gjithashtu se disa nga lojtarët kryesorë të skuadrës shfaqën pakënaqësi ndaj stilit të lojës së Slot. Mes tyre përmendet edhe Mohamed Salah, i cili tashmë është larguar nga klubi.
Megjithatë, e ardhmja e trajnerit 58-vjeçar mund të jetë sërish në një klub të madh europian. Gazetari i njohur Saka Tavolieri ka bërë të ditur në rrjetet sociale se Arne Slot konsiderohet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Milanit.

Sipas të njëjtave raportime, Ramon Planes pritet të emërohet drejtor i ri sportiv i klubit kuqezi. Spanjolli ka mbajtur më parë këtë detyrë në disa klube të njohura, ndërsa eksperiencat e tij më të fundit kanë qenë te Real Betis dhe Al-Itihad.
Raportohet se mes palëve kanë nisur kontaktet dhe bisedimet paraprake për një bashkëpunim të mundshëm. Një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e trajnerit të ri të Milanit pritet të ketë Zlatan Ibrahimoviç, këshilltar i afërt i pronarit Xherri Kardinale dhe figurë me ndikim në vendimmarrjen sportive të klubit.
Për momentin, nuk ka një konfirmim zyrtar nga Milani, ndërsa zhvillimet pritet të qartësohen në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje