Stadiumi “Puskás Arena” në Budapest është sot skena e finales së shumëpritur të Ligës së Kampioneve, ku përballen PSG-ja, kampion në fuqi i turneut, dhe Arsenali, skuadra e vetme që ka mbetur e pamposhtur gjatë këtij edicioni.
Për PSG-në, kjo finale përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të vulosur dominimin në futbollin europian, duke synuar fitimin e trofeut për të dytin sezon radhazi dhe duke u renditur mes skuadrave më të suksesshme në historinë e kompeticionit.
Në anën tjetër, Arsenali kërkon të shfrytëzojë një rast historik për të kurorëzuar punën e brezit aktual të futbollistëve. Një triumf në këtë finale do të ishte një argument i fortë për ta konsideruar këtë skuadër si një nga më të mirat në historinë e klubit londinez, duke e vendosur përkrah, apo edhe mbi ekipin legjendar të epokës së Arsen Venger
Trajneri i PSG-së, Luis Enrike, i ka besuar formulës së zakonshme sulmuese, duke aktivizuar nga minuta e parë Kviça Kvaratshkelian, Dezajër Due dhe Osman Dembelen në repartin ofensiv.
Ndërkohë, tekniku i Arsenalit, Mikel Arteta, ka zgjedhur një qasje më të kujdesshme taktike. Në fazën sulmuese ai është mbështetur te Leandro Troshard, Bukajo Saka dhe Kai Haverc, duke synuar të ruajë ekuilibrat në prapavijë përballë forcës sulmuese të kundërshtarëve.
Të gjitha vëmendjet e futbollit europian janë përqendruar në Budapest, ku pritet një përballje spektakolare për trofeun më të rëndësishëm të futbollit të klubeve në kontinent.

Lini një Përgjigje