Armando Broja është renditur nga prestigjiozja britanike “The Athletic” si transferimi i dytë më i dobët i sezonit në Premier Ligë. Vlerësimi vjen pas një analize të detajuar të 189 lojtarëve të afruar nga klubet e elitës së futbollit anglez gjatë merkatos.
Gazetari Tim Spiers ka shqyrtuar të gjitha transferimet e sezonit, duke përpiluar një renditje të afrimeve më të suksesshme dhe atyre më zhgënjyese. Në analizën e tij, ai shprehet kritik ndaj paraqitjeve të sulmuesit të Kombëtares shqiptare, duke sugjeruar madje se klube si Koventri, Ipsuiç apo Hull Siti nuk duhet ta konsiderojnë Brojën si një alternativë për repartin ofensiv.
Sipas raportit të publikuar, transferimi i Brojës nga Çelsi te Bërnli, për një shumë që raportohet të arrijë në 20 milionë paund me bonuse, nuk ka përmbushur pritshmëritë. Sulmuesi firmosi një kontratë pesëvjeçare me klubin anglez, por statistikat e tij kanë ngritur pikëpyetje të mëdha.
“Është e vështirë të argumentosh se Broja është sulmuesi që mund ta ndihmojë Burnleyn të sigurojë mbijetesën në Premier Ligë, kur në tre sezonet e fundit, mes Çelsit dhe huazimeve tek Evertoni dhe Fulhami, ai ka shënuar vetëm tre gola në 58 paraqitje”, shkruan Spiers në analizën e tij.
Në përfundim, gazetari thekson se, duke marrë parasysh vlerën e transferimit, Broja mund të ishte renditur edhe më lart në listën e transferimeve të dështuara. Ai vëren se bilanci i sulmuesit ka kaluar nga tre gola në 58 ndeshje në vetëm katër gola në 84 paraqitje.
Ndërkohë, vendi i parë në listën e transferimeve më të dobëta i është atribuar Harvej Eliott, i cili u huazua nga Liverpuli te Aston Vila pa arritur të japë ndikimin e pritur.
Në anën tjetër të renditjes, si transferimi më i suksesshëm i sezonit është vlerësuar Granit Xhaka. Mesfushori me origjinë shqiptare, i transferuar te Sandërlendi, jo vetëm që u bë kapiten i skuadrës, por udhëhoqi ekipin drejt kualifikimit në Ligën e Europës.
Para publikimit të vlerësimeve, Spirs ka sqaruar se renditja është realizuar në një frymë argëtuese, duke u kujtuar lexuesve: “Ju lutem mbani mend, është thjesht për argëtim”.

Lini një Përgjigje