Tensione dhe përplasje janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Budapest, ku tifozë të Arsenalit dhe PSG-së janë përfshirë në incidente në prag të finales së Champions League.
Sipas një deklarate të Policisë së Hungarisë, autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personat e përfshirë në përleshje. Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë përdorim flakadanësh, akte dhune dhe momente tensioni në disa zona të qytetit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se tre tifozë janë arrestuar të premten për incidente të dhunshme në zonën e dedikuar për tifozët.
Për të garantuar sigurinë gjatë zhvillimit të finales, rreth 4 mijë efektivë policie janë angazhuar në rrugët e Budapestit, ndërsa qyteti ka pritur një fluks të madh vizitorësh nga vende të ndryshme të Europës. Stadiumi “Puskás Aréna”, ku do të luhet finalja, ka një kapacitet prej mbi 67 mijë spektatorësh. Megjithatë, raportimet tregojnë se më shumë se 20 mijë tifozë kanë udhëtuar drejt Budapestit pa siguruar një biletë për ndeshjen.
Ndërkohë, atmosfera festive ka pushtuar qytetin. Mijëra mbështetës të PSG-së janë mbledhur në rrugë dhe sheshe, duke kënduar dhe shpalosur flamuj e koreografi të ndryshme në mbështetje të skuadrës së tyre. Entuziazëm i lartë vihet re edhe në zonat ku janë grumbulluar tifozët francezë.
Mbështetësit e ekipit parizien shprehen optimistë për paraqitjen e skuadrës së drejtuar nga Luis Enrike, duke besuar se PSG ka potencialin për të triumfuar në finalen e madhe europiane.
Edhe tifozët e Arsenalit kanë mbërritur në numër të konsiderueshëm në kryeqytetin hungarez, duke krijuar një atmosferë të zjarrtë përpara sfidës që pritet të tërheqë vëmendjen e miliona shikuesve në mbarë botën.
View this post on Instagram
Finalja e Champions League mes PSG-së dhe Arsenalit do të zhvillohet në “Puskás Aréna” në orën 18:00 dhe do të gjykohet nga arbitri gjerman Daniel Zibert.
Lini një Përgjigje