TAGS-AT E JAVËS

Sport29 Shtator 2023, 15:55

U ka realizuar 8 gola skuadrave të mëdha në Serinë A, 'preja' e preferuar e Nedim Bajramit Milani dhe Interi

Shkruar nga Pamfleti

U ka realizuar 8 gola skuadrave të mëdha në Serinë A,

Nedim Bajrami ishte autori i golit të barazimit, që i hapi rrugë Sasuolos të mposhtte Interin dy ditë më parë. Fantazisti i Kombëtares shqiptare po kalon një formë fantastike, teksa edhe në ndeshjet me përfaqësueset ishte një ndër lojtarët më të dalluar në fushë.

Një pikë në Çeki padyshim që erdhi si meritë e tij. Por, le të kthehemi pak në golat që 24-vjeçari ka shënuar që në momentin kur është aktivizuar në Serinë A. Duke përfshirë edhe Kupën e Italisë, dy klube si Empoli dhe Sasuolo aktualisht, bie në sy se Bajrami është “vrasësi” i skuadrave të mëdha dhe nëse bëjmë një bilanc, janë 8 golat që ai ka shënuar kundër ekipeve me emër në Itali, ndërsa ndaj skuadrave të vogla në total ka gjetur 7 herë rrugën e rrjetës, një gol më pak që tregon se “gjahu” i preferuar për fantazistin janë ekipet kryesuese.

Golat- Gjithçka nisi me Napolin para dy vitesh ku gjatë një ndeshjeje Kupe, Empoli u mposht 3-2 dhe të dy golat i shënoi Nedimi. Më pas ishte Milani.M 22 dhjetor 2021, mesfushori realizoi në portën e Menjosë, edhe pse në fund kuqezinjtë fituan 4-2. Nuk kaloi shumë kohë dhe brenda janarit të vitit 2022, Bajrami i realizoi Lacios, Interit dhe Romës. “Viktima” e radhës ishte Milani sërish, ku në nisje të sezonit të kaluar, ai ndëshkoi Tatarushanun. Arrijmë te goli i tetë ndaj të mëdhave dhe ai është ndaj Interit këtë sezon. Deri më tani, mesfushori kuqezi nuk ka futur topin në rrjetën e Juventusit, i vetmi ekip që i ka shpëtuar dhe në disa përballje është mjaftuar vetëm me asistin e dhënë. Ndërkaq, shtatë golat e lojtarit të lindur në Zvicër janë kundër ekipeve si: Udineze, Bolonja, Venecia dhe Kremoneze në Serinë A, ndërsa Vinçenca, Verona dhe Kozenca në Kupën e Italisë.

Tjetër Bajram në kombëtare- Nedimi ishte pjesë e grupit të Edi Rejës gjatë kualifikueseve të Botërorit 2022, por edhe pse u aktivizua në të gjitha ndeshjet, minutat ishin tepër të reduktuara për mesfushorin që vuajti edhe çështjen e skemës, e cila nuk i përshtatej. Edhe pse ekipi kombëtar zuri vendin e tretë në grup me 18 pikë, Bajrami nuk dalloi më lojën e tij dhe nuk pati mundësi të tregonte potencialin e vërtetë. Në janar të këtij viti në stolin e Shqipërisë u ul Silvinjo, i cili e ka aktivizuar Bajramin në pesë ndeshje, pothuajse aq minuta sa në të gjitha ndeshjet me Edi Rejën. Përveç minutave dhe gjetjen e një skeme tjetër, fantazisti ka qenë edhe protagonist me 3 gola të shënuar deri më tani (Moldavi, Ishujt Faroe, Çeki), si edhe një asist. Një rilindje!

 

nedim bajrami fantazisti i kombëtares shqiptare

Lini një Përgjigje