
Largimi i Roberto Mançinit nga drejtimi i Italisë do të ketë pasoja. Në zyrat e Federatës Italiane nuk u del inati nga mënyra se si trajneri i braktisi për të shkuar në Arabinë Saudite dhe për këtë arsye po bëhen gati që t’i hapin çështje gjyqësore.
Në lojë nuk është vetëm prestigji dhe imazhi që i ka dëmtuar rëndë, pasi përfaqësuesja ka gjetur një tjetër trajner me emër si Spaleti. Por mbi të gjitha fakti se si ai praktikisht nënvlerësoi autoritetin e drejtuesve të futbollit italian, duke shkuar i qetë për të fituar milionat në Arabinë Saudite.
Pas mbledhjes së Këshillit Federal të FIGC, presidenti Gabriele Gravina, ka deklaruar se janë hedhur hapat e parë për një çështje gjyqësore, ku t’i kërkohej dëmshpërblim trajnerit.
“Informova Këshillin për gjithçka ndodhi në gusht, sa i përket ndërprerjes së menjëhershme të kontratës teksa paraqiti dorëheqjen. Këshilli vendosi që t’i jepet mandat një profesionisti për të marrë një mendim ligjor që të mësohet nëse ekziston mundësia e kërkesës së një dëmshpërblimi”, tha ai.
Mançini, 58-vjeç, dha dorëheqjen më 13 gusht nga posti i trajnerit të kombëtares italiane, të cilin e mbante që nga maji 2018, duke përmendur mungesën e besimit te drejtuesit e Federatës, në veçanti presidentit, Gabriele Gravina.
Trajneri pasoi Luixhi di Biaxhon dhe kulmi i tij ishte fitimi i “EURO 2020”, i mbajtur në vitin 2021, por nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës 2022, në Katar, katër vjet pasi Italia kishte humbur Kupën e Botës 2018, në Rusi.
Në total, ata shënuan 37 fitore, 15 barazime dhe 9 humbje, në një rrugëtim që përfshinte edhe një vend të tretë në edicionin 2022-2023 të Ligës së Kombeve.
Pak javë pas largimit nga komanda e skuadrës së ‘Axurre’, Mançini mori përsipër ekipin kombëtar të Arabisë Saudite, pasi kishte nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me Federatën Arabe të Futbollit.
Lini një Përgjigje