
Nedim Bajrami realizoi golin e parë sezonal në kampionatin italian të futbollit. 24-vjeçari nga Tetova, shtangu Interin dhe portierin Jan Zomer me goditjen e tij të fortë.
Goli i lojtarit të kombëtares shqiptare, nisi përmbysjen e Sasuolos, që siguroi tri pikë fantastike në “San Siro”, duke i shkaktuar skuadrës së Simone Inzagit humbjen e parë.
Bajrami u vlerësua me nota pozitive nga shtypi italian për takimin e zhvilluar kundër zikaltërve, sfidë ku u arrit triumfi i jashtëzakonshëm nga djemtë e Dionisit me rezultatin 1-2.
Pas këssaj ndeshje, Bajrami theksoi se ishte shumë i lumtur për golin dhe për 3 pikët ndaj kryesuesve të kampionatit. Gjithashtu na zbuloi edhe rolin e tij të preferuar në fushë.
“Jemi shumë të lumtur, pasi kemi fituar dhe jemi të parët që mposhtim Interin këtë sezon. Jemi skuadër shumë e mirë, që di të luajë me topin dhe duhet të vazhdojmë kështu. Ndihem mirë si fantazist dhe mendoj se këtu jap më të mirën time. Jam i lumtur që trajneri po më aktivizon në rolin tim të preferuar”, theksoi mesfushori i kombëtares kuqezi.
Bajrami po kalon një periudhë pozitive, te Shqipëria dhe Sasuolo. Lojtari shpreson të vijojë të luajë e shënojë tek ekipi italian, për të ardhur në formë sa më të mirë në “finalen” e 12 tetorit kundër Çekisë në “Air Albania”.
Lini një Përgjigje