Trabzonspori po intensifikon përpjekjet për të siguruar shërbimet e Ernest Muçit gjatë merkatos së verës. Sipas raportimeve nga Turqia, drejtuesit e klubit janë të gatshëm të ofrojnë deri në 5 milionë euro për kartonin e futbollistit shqiptar.
Afati vendimtar për këtë operacion është data 10 maj, periudhë kur përfundon edhe e drejta për blerjen e kartonit të Muçit nga Beshiktashi.
Megjithatë, diferenca mes palëve mbetet e konsiderueshme. Trabzonspori e vlerëson si të lartë shumën prej 8.5 milionë eurosh të kërkuar nga Beshiktashi, ndërsa klubi bardhezi ka bërë të ditur më herët se nuk ka ndërmend të ulë pretendimet financiare.
Ernest Muçi u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës gjatë këtij sezoni. Edhe pse një dëmtim gjatë muajit prill ndikoi në vazhdimësinë e tij, mesfushori ofensiv spikati me paraqitje të mira, gola dhe asiste.
Interesimi i Trabzonsporit lidhet edhe me dëshirën e trajnerit Fatih Teke, i cili e konsideron Muçin një përforcim të rëndësishëm për skuadrën. Mediat turke raportojnë se tekniku po ushtron presion te drejtuesit e klubit për të finalizuar transferimin e shqiptarit.
Lini një Përgjigje