Ardian Ismajli po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga elementët më të besueshëm të Torinos në repartin defensiv, në një sezon ku skuadra italiane ka shfaqur jo pak probleme në mbrojtje. Qendërmbrojtësi shqiptar ka spikatur për sigurinë në duelet ajrore dhe për leximin e saktë të aksioneve, veçanërisht në situatat me topa të lartë.
Ndërkohë, Torino vijon të vuajë në fazën mbrojtëse, sidomos në rastet e krosimeve dhe goditjeve standarde. Mungesa e koordinimit dhe e markimit korrekt ka bërë që çdo top i ardhur në zonë të kthehet në një rrezik serioz për portën e skuadrës.
Problemet u evidentuan edhe në përballjet e fundit ndaj Interit dhe Udinezes, ku kundërshtarët arritën të shënonin me goditje me kokë, shpesh pa hasur rezistencën e duhur nga mbrojtja e Torinos. Këto episode kanë nxjerrë në pah dobësitë strukturore të repartit defensiv.
Në këtë situatë, mediat italiane kanë veçuar paraqitjet e Ardian Ismajlit, duke e konsideruar atë si një garanci të rrallë në prapavijë dhe një nga lojtarët më konstantë të skuadrës gjatë këtij sezoni.
Lini një Përgjigje