Janë zhvilluar këtë të enjte ndeshjet gjysmëfinale të fazës “play-off” në Kategorinë e Parë, duke përcaktuar edhe dy skuadrat finaliste që do të vazhdojnë garën për ngjitjen në Abissnet Superiore sezonin e ardhshëm.
Pogradeci arriti të sigurojë kualifikimin pas një fitoreje bindëse 3-0 ndaj Kastriotit. Në sfidën e luajtur në shtëpi, liqenorët kaluan në avantazh që në pjesën e parë me Grecën, ndërsa Pius vulosi suksesin me dy gola të shënuar në minutat e fundit të takimit.
Në gjysmëfinalen tjetër, Besa triumfoi 2-0 përballë Ilirisë në Fushë Krujë. Kordeiro dhe Çinuendu realizuan dy gola të shpejtë për skuadrën kavajase, duke i dhënë Besës biletën për në finalen e “play-off”-it.
Finalja mes Pogradecit dhe Besës do të zhvillohet më 11 maj, në orën 17:00. Fituesi i kësaj përballjeje do të ndeshet më pas me skuadrën e vendit të tetë në Abissnet Superiore, në duelin që do të vendosë ekipin e fundit pjesëmarrës në elitën e futbollit shqiptar për sezonin 2026-2027.
Lini një Përgjigje