
Federata Shqiptare e Atletikës ka zhvilluar sot Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore, e cila u mbajt në Parkun Olimpik në Tiranë. Në garë për të marrë drejtimin e FSHA-së ishin Taulant Stërmasi, Ferdinand Canaj dhe Artan Shyti
Në raundin e parë të votimit nga 17 anëtarë të mandatuar prej klubeve, Stërmasi mori 8 vota, Canaj 6 dhe Shyti 3, duke berë që votimi të shkonte në balotazh, ndërsa në garë mbetën vetëm Stërmasi dhe Canaj.
Më pas në votimin e dytë, Taulant Stërmasi mori 10 vota, kundrejt 7 votave të Canajt, duke u zgjedhur kështu president i Federatës Shqiptare të Atletikës.
Stërmasi është trajneri i Luiza Gegës me të cilën ka arritur suksese historike për flamurin shqiptar dhe tani i besohet një tjetër detyrë.
Stërmasi do të jetë në krye të Federatës për një vit, pasi siç dihet në vitin 2024 përfundon cikli olimpik dhe të gjitha Federatat do t’u drejtohen zgjedhjeve të reja, me drejtuesit që do të kenë mandat 4-vjeçar.
Kujtojmë se kjo asamble e jashtëzakonshme erdhi për shkak të pezullimeve të Gjergj Rulit dhe Nikolin Dionisit. Ish-presidenti dhe ish-sekretari, siç dihet u dënuan nga Njësia e Integritetit të Atletikës si të përfshirë në manipulimin e rezultatit për garën e kërcimit të Izmir Smajlajt, event i mbajtur më 8 maj 2021 në kryeqytet.
Lini një Përgjigje