Kombëtarja e Rumanisë në Futboll ka falënderuar tifozët e saj që ishin të pranishëm në stadiumin Arena Bukuresht të premten mbrëma në ndeshjen kundër Kosovës, e cila u ndërpre pasi lojtarët e Kosovës e braktisën fushën duke u ankuar për thirrje raciste ndaj tyre nga tifozët rumunë.
“Kombëtarja rumune në Futboll dëshiron t’i falënderojë ata që ishin prezentë për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për sjelljen e tyre në ndeshjen me Kosovën, një ndeshje që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve jo vetëm pse zgjati tri orë, por po ashtu si një shembull i unitetit dhe solidaritetit”.
Në minutën e 92-të të lojës, futbollistët e Kombëtares kosovare e lëshuan fushën në Bukuresht, në ndeshjen që po zhvillohej në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Është për keqardhje gjesti i ekipit mysafir, që zgjodhi të largohej nga fusha pa pajtimin e referit, refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë në frymën e lojës fer, që reflekton mungesë të respektit jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë”, tha Kombëtarja e Rumanisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Po ashtu, Kombëtarja rumune tha se falënderon tifozët për “inkurajimin e dhënë dhe për mirëkuptimin e qëllimit të përbashkët në këtë ndeshje. Trikolorët po ashtu vlerësojnë faktin që tifozët ia dolën aq sa mundën që të mos iu përgjigjeshin sfidave që vinin nga mysafirët tanë”.
Ndërkaq, policia rumune tha se 13 tifozë u gjobitën pas ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës, teksa nëntë të tjerëve iu ndalua hyrja në stadiume për një vit. Autoritetet thanë se po vazhdojnë kontrollet për të identifikuar personat që shkelën ligjet, përkatësisht për përdorimin e lëndëve plasëse dhe dhunës gjatë garave sportive.
UEFA, shtëpia e futbollit evropian, njoftoi në ueb-faqen e saj se ndeshja është braktisur dhe se më vonë do të japë më shumë hollësi rreth saj.
FFK paralajmëron ankesë në UEFA
Federata e Futbollit të Kosovës ka dënuar ashpër provokimet dhe sjelljet raciste që ndodhën gjatë ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht, në kuadër të UEFA Nations League, duke thënë se ndeshja u ndërpre për shkak të thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë nga tifozët rumunë, të cilët përsëritën sjellje raciste dhe provokuese që siç thuhet në regimin e FFK-së, dëmtojnë rëndë frymën e fair play-it, vlerat e futbollit dhe janë në kundërshtim të plotë me rregulloret dhe parimet e UEFA-s.
FFK thotë se thirrjet si “Kosovo is Serbia” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurtë për lojtarët tanë.
FFK kishte paralajmëruar më shumë se dy herë me shkrim organet përkatëse të UEFA-s për mundësinë e veprimeve të tilla, një herë disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta përpara fillimit të saj.
Federata në reagimin e saj thotë se përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit.
Lini një Përgjigje