Edhe pse ende nuk ka nisur edicioni i parë i Kupës së Botës me 48 skuadra, në FIFA kanë filluar diskutimet për një tjetër zgjerim të mundshëm të turneut. Bëhet fjalë për Botërorin e vitit 2030, i cili do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, dhe që mund të zhvillohet me plot 64 kombëtare pjesëmarrëse.
Ideja është hedhur fillimisht disa muaj më parë nga CONMEBOL, konfederata e futbollit të Amerikës së Jugut. Sipas propozimit, zgjerimi i turneut do të krijonte më shumë hapësira për skuadra që tradicionalisht kanë pasur pak mundësi të jenë pjesë e elitës së futbollit botëror.
Në fillim, propozimi u konsiderua më tepër si një ide për diskutim, por së fundmi ai po merr gjithnjë e më shumë mbështetje brenda strukturave drejtuese të FIFA-s. Zyrtarët e organizatës po e shohin këtë si një mënyrë për të rritur përfaqësimin global dhe për t’i dhënë më shumë vendeve mundësinë për të marrë pjesë në ngjarjen më të madhe të futbollit.
Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ka theksuar vazhdimisht se Kupa e Botës duhet të jetë një “festë globale” e futbollit, ku të përfshihen edhe kombëtare që nuk kanë qenë kurrë pjesë e turneut final. Një zgjerim në 64 skuadra do të rriste ndjeshëm shanset për vende si Shqipëria dhe shumë përfaqësuese të tjera që rrallë arrijnë të kualifikohen.
Aktualisht, struktura zyrtare e Botërorit 2030 mbetet ajo me 48 skuadra. Megjithatë, FIFA ende nuk ka finalizuar plotësisht organizimin e këtij edicioni. Vendimet përfundimtare pritet të diskutohen pas përfundimit të Botërorit 2026, finalja e të cilit do të zhvillohet më 19 korrik 2026, ditë kur do të shpallet edhe kampionia e re e botës.
Lini një Përgjigje