Më 30 maj, në Budapest, do të zhvillohet finalja e Champions League mes PSG përballë Arsenalit. Një duel që vë përballë jo vetëm Francën me Anglinë, por edhe dy nga metropolet më të mëdha europiane, Parisin dhe Londrën.
Në pankina do të jenë dy trajnerë spanjollë, por me profile të ndryshme. Nga njëra anë Luis Enrike, tashmë i konsoliduar dhe fitues trofesh madhorë, ndërsa nga ana tjetër një trajner në ngritje. Edhe ky mbetet një detaj historik, pasi në finalet e mëparshme me skuadra spanjolle, të paktën njëri prej trajnerëve kishte qenë i huaj.
Kjo do të jetë hera e parë që një finale e Champions League luhet mes një klubi francez dhe një anglez. PSG-ja vjen në finalen e tretë në historinë e saj dhe të dytën radhazi, pas triumfit të sezonit të kaluar ndaj Interit, sukses që i solli trofeun e parë europian klubit parisien.
Ndërkohë, Arsenali rikthehet në finalen e dytë të historisë pas 20 vitesh. Londinezët humbën finalen e vetme të mëparshme ndaj Barcelonës në sezonin 2005-2006, në “Stade de France”. Asnjë skuadër tjetër nuk kishte pritur kaq gjatë mes finales së parë dhe të dytë në kompeticion.
PSG konsiderohet favorit i qartë për përballjen e 30 majit. Një nga arsyet kryesore mbetet eksperienca e Luis Enrikes në ndeshje të këtij niveli. Përgatitja perfekte e finales së kaluar ndaj Interit ka krijuar bindjen se francezët mund të përsërisin suksesin, aq më tepër që skuadra ka ruajtur pothuajse të njëjtën strukturë.
Në gjysmëfinalet ndaj Bajernit të Mynihut, PSG tregoi fleksibilitet taktik, duke fituar si në ndeshje të hapura me shumë gola, ashtu edhe në duele të kontrolluara përmes posedimit të topit. Një tjetër avantazh për parisienët është fakti se kampionati francez është praktikisht i mbyllur për ta, ndërsa Arsenali vazhdon garën intensive në Premier Ligë deri në javët e fundit.
Megjithatë, finalet mbeten gjithmonë të paparashikueshme. Arsenali ka treguar gjatë këtij edicioni se goditjet standarde janë një nga armët më të forta të skuadrës, element që mund të rezultojë vendimtar në një sfidë të tillë.
Finalja kujton në një farë mënyre përballjen Mançester Siti–Inter, ku anglezët konsideroheshin favoritë absolutë, por u vunë seriozisht në vështirësi nga skuadra italiane e Simone Inzagit.
Edhe pse rrugëtimi drejt finales ka qenë i ndryshëm për të dy ekipet, shpesh është organizimi mbrojtës ai që vendos fatin e trofeut. Pas ndeshjes së parë ndaj Bajernit të Mynihut, Luis Enrike u shfaq i pakënaqur pavarësisht fitores 5-4, pasi skuadra e tij kishte shpërdoruar avantazhin 5-2.
Gjithsesi, trajneri spanjoll ka arsye për optimizëm. PSG mund të ndryshojë ritmin dhe mënyrën e lojës falë kontrollit të mesfushës me Vitinjan dhe Zhoao Neves, eksperiencës së Markuinjos në prapavijë dhe forcës fizike të Paços në mbrojtje. Në repartin ofensiv, treshja Due–Dembele–Kvaratskhelia mbetet e aftë të vendosë ndeshjen me vetëm pak aksione vendimtare.
Megjithatë, finalja e Budapestit pritet të jetë krejt tjetër histori. Arsenali mbërrin në këtë sfidë pa asnjë humbje në këtë edicion të Champions League. PSG hyn si superfavorit, por pikërisht ky status mund të kthehet në rrezikun më të madh për skuadrën franceze.
Lini një Përgjigje