
Të enjten, më 26 mars, në Varshavë do të luhet sfida mes Polonisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026. Një ndeshje e vetme do të përcaktojë ekipin që do të vijojë më tej në garën për një vend në fazën finale të Botërorit.
Takimi është eliminator dhe nuk ka kthim. Fituesi i këtij dueli do të përballet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi, në ndeshjen përfundimtare që jep biletën për në Kupën e Botës 2026. Për të dyja përfaqësueset, kjo sfidë konsiderohet vendimtare.
Polonia përballet me disa probleme në prag të ndeshjes. Të konfirmuara janë mungesat e portierit Lukas Skorupski (Bolonja) dhe sulmuesit Adam Buksa (Udineze), duke detyruar trajnerin Jan Urban të rishikojë formacionin.
Buksa numëron 27 ndeshje me kombëtaren dhe ka shënuar shtatë gola, ndërsa Skorupski ka qenë 20 herë në portën e Polonisë, duke përfaqësuar një element me përvojë për ekipin.
Edhe kombëtarja shqiptare vjen me mungesa të rëndësishme. Sulmuesi Rei Manaj nuk do të jetë i gatshëm për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë fundjavës.
Në dyshim mbetet edhe Mirlind Daku, i cili gjithashtu vuan nga një dëmtim. Ndërkohë, Armando Broja është rikthyer në fushë, duke marrë disa minuta me Bërnlin në Premier Ligë, çka mund të jetë një sinjal pozitiv për gjendjen e tij fizike.
Të dyja skuadrat hyjnë në këtë përballje me mungesa në repartin ofensiv dhe në pozicione kyçe, çka mund të ndikojë në qasjen taktike. Polonia luan në shtëpi dhe konsiderohet favorite në letër, por Shqipëria ka treguar më herët se mund të jetë konkurruese në ndeshje të tilla.
Lini një Përgjigje